Ferizaj

Mbetjet medicinale në Ferizaj rrezikojnë qytetarët dhe punëtorët e KRM “Pastërtia”

By FerizajPress

April 13, 2021

Qytetarët e Komunës së Ferizajt dhe punëtorët e Kompanisë së Mbeturinave “Pastërtia” prej vitesh janë të rrezikuar nga mbetjet medicionale të cilat po hidhen vend e pa vend nga ordinancat private. Shpeshherë këto mbetje po fotografohen nga qytetarët nëpër trotuare dhe afër kontejnerëve, megjithëse sipas ligjit, ato paraprakisht duhet të asgjësohen në “Inserator”.

Në gjithë territorin e Kosovës janë vetëm shtatë qendra të licencuara me “Inserator” për asgjësimin e mbetjeve medicionale. Një qendër e tillë është edhe në hapësirat e Spitalit Rajonal të Ferizajt, mirëpo shumica e ordinancave private nuk kanë arritur të bëjnë ndonjë marrëveshje me këtë Spital, pasi që asgjësimi i mbetjeve është me pagesë. Ndërkaq, në Komunën e Ferizajt kanë thënë se nuk kanë inspektorë të shëndetësisë për t’i inspektuar ordinancat private rreth çështjes së asgjësimit të mbetjeve.

Dukagjin Hetemi, drejtor i përgjithshëm i Kompanisë Regjionale të Mbeturinave “Pastërtia” në Ferizaj, ka thënë për KOHËN se qytetarët dhe punëtorët teknikë të tyre prej vitesh janë të rrezikuar nga këto mbetje medicionale të cilat po hidhen vend e pa vend, andaj shqetësimet e tyre deri tash nuk janë marrë parasysh nga institucionet publike. Ai sqaron se rreth kësaj çështje është debatuar mjaftë gjatë me Komunën, me Ministrinë e Shëndetësisë dhe me institucionet e tjera, mirëpo deri tash nuk është marrë asnjë veprim konkret.

“Mbetjet medicionale janë mbeturina në kategorinë e mbeturinave të rrezikshme, përkundër faktit që punëtorët e kompanisë vaksinohen vazhdimisht për mbrojtje nga infeksionet, megjithatë rreziku është shumë i madh nga këto mbeturina të cilat kryesisht po hedhen vend e pa vend nga ordinancat private. Në këto mbeturina nuk dihet saktësisht se çfarë deponohet dhe ato po hidhen në kontejner e trotuare dhe nëpër prona publike. Kjo çështje është debatuar edhe në nivel më të lartë, mirëpo ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje që këto ordinanca t’i asgjësojnë në pikat e caktuara”, është ankuar Hetemi.

Ai ka kërkuar edhe nga Spitali i Ferizajt që të bëjnë përpjekje për të lidhur marrëveshje me ordinancat private për asgjësimin e këtyre mbetjeve, mirëpo deri tash nuk ka lëvizur asgjë konkrete. “Rreziku është shumë i madh edhe për qytetarët sepse mundësia e përhapjes së infeksionit është prezentë afër kontejnerëve. Prandaj këto mbetje duhet të asgjësohen dhe në asnjë mënyrë nuk duhet lejuar të grumbullohen së bashku me mbeturinat e tjera të përditshme”, ka bërë me dije Hetemi. Sipas tij, punëtorët e KRM “Pastërtia” nuk hezitojnë t’i pastrojnë kontejnerët dhe hapësirat publike, mirëpo secila ordinancë private duhet të ketë kujdes, sepse po e rrezikojnë shëndetin e të gjithëve.

Jeton Zeqiri, drejtor i Spitalit Rajonal në Ferizaj, ka thënë se një pjesë e madhe e ordinancave private nuk kanë lidhur marrëveshje për asgjësimin e mbetjeve medicionale, andaj sipas tij, kjo çështje shumë lehtë mund të hetohet duke ua shikuar faturat secilës ordinancë.

“Ne u kemi thënë edhe drejtuesve të Kompanisë ‘Pastërtisë’ por edhe kemi kërkuar që të fotografohen ato mbetje dhe t’i dërgohen inspektoratit, sepse një pjesë e madh e ordinancave private nuk kanë lidhur marrëveshje me spitalin për asgjësimin e mbetjeve. Megjithëse secila ordinancë private është e obliguar me ligj që ta bën asgjësimin e tyre, prandaj kjo çështje mund të parandalohet shumë shpejt me një bashkëpunim të institucioneve”, ka sqaruar Zeqiri.

Sipas tij, shumë qytetarë kanë dyshuar se ato mbetje janë nga Spitali, mirëpo sipas tij, një gjë e tillë nuk qëndron. “Ne si qendër Spitalore e “Inserator”-in dhe mbetjet tona i asgjësojmë, prandaj kërkojmë edhe nga ordinancat private që të bëjnë marrëveshje me Spitalin në mënyrë që mbetjet medicinale të mos hidhen në kontejner dhe të ruhet shëndeti i qytetarëve”, ka shtuar Zeqiri.

Besim Gashi, banor nga Ferizaj, ka thënë se shpeshherë pranë kontejnerëve ka vërejtur mbetje medicionale. “Kam vërejtur mbetje medicionale afër shportave të mbeturinave, madje kam parë se dikush edhe i ka fotografuar. Ne si qytetarë normalë që jemi të rrezikuar, mirëpo rreth kësaj çështjeje duhet të angazhohen institucionet publike të cilat kanë në kompetencë inspektimin e ordinancave private”, është anuar shkurt Gashi.

Hajrush Leka, kryeinspektor në Komunën e Ferizajt, ka thënë se ordinancat private, inspektohen vetëm për kritere higjienike e sanitare derisa nuk kanë inspektor të shëndetësisë. “Ne si inspektorat nuk kemi pranuar ankesa nga qytetarët apo nga Kompania për Menaxhimin e Mbeturinave “Pastërtia” lidhur me këtë çështje. Por edhe pse nuk kemi inspektor të shëndetësisë, nëse pranojmë ndonjë ankesë ose shqetësim të tillë ne do t’i monitorojmë këto ordinanca. Sidoqoftë, do të angazhohemi rreth kësaj çështje me qëllim të ruajtjes së shëndetit të qytetarëve”, ka thënë Leka. Ai ka shtuar se si komunë do të angazhohen rreth kësaj çështje, duke kërkuar mbështetje edhe nga inspektorët e Shëndetësisë nga niveli qendror.

Koha ka provuar të marrë edhe një qëndrim nga disa përfaqësues të ordinancave private në Ferizaj, por nuk kanë pranuar të flasin. Ndërkaq, në kushte anonimi ata kanë thënë se çmimet për asgjësim janë mjaftë të larta. “Përveç çmimeve të larta të marrëveshjeve për asgjësim, janë edhe shumë procedura të tjera të papërballueshme”, ka thënë shkurt, njëri nga përfaqësuesit e një ordinance. I pyetur nëse është në dijeni se rrezikohet shëndeti i qytetarëve nga këto mbetje, ai nuk është përgjigjur më tej.