Ferizaj

Mbahet ekspozita “Në nderim të librit për fëmijë”

By FerizajPress

May 18, 2022

Në teatrin e Ferizajt, u mbajt ekspozita me piktura për fëmijë e titulluar “Në nderim të librit për fëmijë”. Kjo ekspozitë u organizua nga organizata joqeveritare “The Library Project Kosova” dhe ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin për lexim dhe mendimin kritik tek fëmijët.

Koordinatorja e kësaj organizate, Ardiana Selimi thotë se përmes kësaj ekspozite synohet që të tregohet rëndësia që e ka libri.

“Qëllim i kësaj ekspozite është që të rrisim ndërgjegjësimin për lexim. Kjo ekspozitë është mbajtë edhe në shumë vende të tjera të botës, fatmirësisht falë Ambasadës Suedeze ajo është përkthyer edhe në gjuhën Shqipe dhe po mbahet tashmë në tri komuna. Ekspozita në secilën pjesë të pikturave ka një fjali, e cila ka një kuptim shumë të rëndësishëm për librin.” thotë Ardiana Selimi – Koordinatore e “The Library Project Kosova”.

Ardiana Selimi – Koordinatore e OJQ-së “The Library Project Kosova”

Përfaqësuesi i Ambasadës Suedeze në Kosovë Henrik Riby, thotë se puna e bërë nga mësimdhënësit dhe të gjithë atyre që janë përfshirë në këtë projekt, duhet të jetë shembull për të gjitha komunat e Kosovës.

“Qasja në literaturë dhe në edukim është forma më e mirë për të rritur leximin për nxënësit, andaj Ambasada e Suedisë është mirënjohëse që të bashkëpunojë me organizatën “The Library Project Kosova”. Puna e bërë nga mësimdhënësit dhe të gjithë atyre që janë përfshirë në këtë projekt, duhet të jetë shembull për të gjitha komunat e Kosovës.” thotë Henrik Riby – Përfaqësues i Ambasadës Suedeze në Kosovë.

Henrik Riby – Përfaqësues i Ambasadës Suedeze në Kosovë

Bashkim Bytyqi, nga drejtoria e Arsimit në Ferizaj, tha se libri është rruga e duhur për ta ngritur dhe konsoliduar shtetin e Kosovës.

“Sakrifica e shumë Shqiptarëve arsimdashës, e shumë paraardhësve tanë, e shumë mësuesve sot janë motivi dhe vullneti pse ne ende më shumë duhet të angazhohemi që përmes njohjes dhe dijes të ndërtojmë dhe formojmë të ardhmen e kombit tonë, shtetit tonë. Neve sot na takon që librin ta promovojmë si përmbajtje, si medium si qasje ndaj realitetit dhe të vërtetës si formën më të veçantë për të përjetuar dhe njohur botën, si rrugën e ndritur për ta ngritur kombin tonë për ta konsoliduar shtetin tonë, për t’i dhënë frymë shoqërisë sonë dhe për ta ndërtuar gjithësecili vetëveten tonë.” thotë Bashkim Bytyqi nga Drejtoria e Arsimit në Ferizaj.

Bashkim Bytyqi – Drejtoria e Arsimit në Ferizaj

Autorja e dy librave për fëmijë, Valëza Sadiku, i’u bëri thirrje të gjithë fëmijëve që imagjinatën e tyre ta shprehin edhe përmes shkrimit.

“Unë si fëmijë dhe si shkrimtare, ju këshilloj që të shkruani enigmat që i keni në mendjen tuaj dhe përmjet atyre enigmave të krijoni një puzzle në botën tonë.” thotë Valëza Sadiku – Autore e librave për fëmijë

Valëza Sadiku – Autore e librave për fëmijë

Në fund të kësaj ekspozite u mbajt edhe një panel diskutimi me përfaqësues të shkollave dhe të pushtetit lokal të kësaj komune ku u diskutuan sfidat me të cilat përballet sistemi arsimor në Kosovë. Ky projekt i përkrahur nga Ambasada Suedeze në Kosovë është zhvilluar edhe në qytetin e Mitrovicës dhe Klinës, transmeton Tv Tema.

Pamje nga paneli i mbajtur në kuadër të ekspozitës “Në nderim të librit për fëmijë”
Pamje nga ekspozita “Në nderim të librit për fëmijë”