Ferizaj

MASH-i nxjerr udhëzues për testin e maturës, komunat s’kanë ndarë mjete për dezinfektim

By FerizajPress

August 23, 2020

Çdo klasë ku do të mbahet testi i maturës, të shtunën, duhet të jetë paraprakisht e dezinfektuar. Po ashtu, në secilën klasë dhe hyrje të objekteve shkollore duhet të vendosen dezinfektues për duar.

Kështu është paraparë në dokumentin “Udhëzuesi për maturën shtetërore”, që Ministria e Arsimit e ka hartuar këtë javë. Në dokument nuk ceket se kush duhet ta bëjë dezinfektimin e shkollave, derisa për dezinfektues të duarve thuhet se duhet t’i sigurojnë drejtorët e shkollave e drejtoritë komunale të arsimit, raporton KOHA.

Megjithatë, gjashtë ditë para testit, në një pjesë të madhe të komunave shkollat nuk janë dezinfektuar, derisa komunat po presin përkrahje financiare nga MASH-i.

Sipas kryesuesit të Kolegjiumit të drejtorëve komunalë të arsimit, Besim Avdimetaj, Komuna e Pejës ka ndarë buxhet për këtë çështje, por jo edhe komunat e tjera. Ai pret që Ministria sa më shpejt t’u dalë në ndihmë komunave për shkak të afatit të shkurtër deri tek mbajtja e testit.

Ministria e Arsimit nuk është përgjigjur nëse do t’u sigurojë buxhet komunave për dezinfektimin e shkollave.

Në Udhëzuesin e hartuar nga MASH-i është përcaktuar që në secilën klasë të testimit të ketë vetëm 12 banka dhe 12 karrige për nxënësit, si dhe dy të tjera për administruesin e mbikëqyrësin.

Fq6. “Është shumë e rëndësishme që gjatë procesit të testit, kandidatët nga hyrja në objekt e deri tek dalja nga objekti të ruajnë distancë prej 2 metrash, dhe gjatë gjithë kohës secili të bartë maskë me vete”, thuhet në dokument.

Provimi i Maturës Shtetërore 2020 do të mbahet në të njëjtën ditë për të gjithë maturantët. Testi do të zgjasë 150 minuta dhe do të ketë gjithsej 100 pyetje dhe detyra.

Në test do të përfshihen tri lëndët obliguese: gjuhë amtare, gjuhë angleze e matematikë dhe një lëndë zgjedhore që përzgjidhet nga vetë kandidati.

Këtë vit janë gjithsej 25.837 nxënës që e kanë përfunduar shkollën e mesme e që pritet t’i nënshtrohen testit të maturës.