Është ndërlidhur me vrasjen masive të një numri të madh të civilëve shqiptarë të Kosovës, në këtë akt barbar ishte kryer nga njësitë partizane jugosllave (divizioni i 46-të serb dhe brigada e 10-të malazeze) në pranverën e vitit 1945, në fund të Luftës së Dytë Botërore.
Viktimat ishin kryesisht shqiptarë nga Kosova, të cilët ishin rekrutuar nga Ushtria Nacionalçlirimtare e Jugosllavisë, që të përdoren në luftën kundër forcave gjermane, që atëherë ishin duke u tërhequr nga Ballkani. Shqiptarët marshuan nga Prizreni drejt Tivarit në tri grupe të ndryshme. Pothuajse të gjithë anëtarët e grupit tjetër të cilët nëpërmjet Shqipërisë arritën në Tivar ishin vrarë nga rojet malazeze.
Vendtubimi këtyre të rekrutuarve u caktua Prizreni, ku të gjithë ushtarët shqiptarët u çarmatosen me arsyetimin se do të lodheshin nga rruga dhe se kur të mbërrinin në front do të pajiseshin me armë moderne angleze. Nga Prizreni shqiptarët u nisën fillimisht për në Mal të Zi të ndarë në tri grupe.
- Grupi i parë prej 3,700 vetash u nis më 24 Mars 1945 .
- Grupi i dytë me 4,700 vetë u nis me 26 mars dhe marshoj për katër ditë në vijën Prizren-Zhur-Kukës-Puk-Shkodër-Tivar. Ushtarët gjatë rrugës u rrahën apo në disa raste edhe u vranë kur dilnin nga kolona për ta shuar etjen. Kur kolona mbërriti në Tivar, ndodhi një konflikt në mes katër shqiptarëve dhe rojave, të cilët shtinë dhe vranë dy shqiptarë. Masa e zënë në grackë mes maleve të larta dhe detit u shtri për tokë, ndërkohë që ajo hapësirë ishte vënë në shënjestër të pushkëve dhe mitralozave që ishin vendosur në çdo qoshe të rrugëve, në dritare dhe në tarraca të shtëpive, e në shkëmbinj e kodra përreth. Më pas turma urdhërohet të ngjitet dhe drejtohet drejt ndërtesë “Monopoli i duhanit” ku filluan të shtënat. Ky eshalon e pësoi më së rendi duke u gjendur nën breshërine e plumbave.
- Një raportim drejtuar Misionarit anglez Hadson më 1946 në atë kohë e caktonte numrin e të vrarëve në 1670.
- Grupi i tretë me 2700 veta u nis me 27 Mars 1945 dhe pas arritjes në Dubrovnik një grup prej 800 vetash u helmua nga një helm i panjohur pas vendosjes në një depo baroti, me pasoja fatale për shumicën. Mbijetuesit e masakrës besojnë se numri i të vdekurve apo të vrarëve gjatë rrugëtimit për në Frontin e Adriatikut është gjithsej 4300 veta.
Llogaritjet e numrit të viktimave ndryshojnë nga 400–450 (të dhënat zyrtarë partizanë) kurse në anën tjetër historianët shqiptarë 1500–2000. Në Jugosllavi kjo ishte një temë tabu që është mbajtur e fshehtë për dekada të tëra.Vlen të theksohet se historiani më i njohur i Kosovës Ali Hadri edhe pse njihej për replika me historianët serb për çështjen e Kosovës, megjithatëtragjedinë e Tivarit nuk e përmendi fare.Shqiptarët u rekrutuan për t’u dërguar në luftime në këto fronte ndërsa brigadat serbe i forcuan pozitat e tyre në territorin e Kosovës. Gjithsejtë 44.523 shqiptarë nga Kosova dhe viset tjera etnike u rekrutuan dhe u dërguan në luftime larg Kosovës, për ta zvogëluar rrezikun e çfarë do rezistence ndaj pushtetit jugosllav që do të vendosej në Kosovë.
Reagimet lidhur me Tragjedinë e Tivarit
Lidhur me vrasjet masive të ndodhura në Tivar do të reagonte diktatori shqiptar Enver Hoxha, më 1955 përmend 1000 të vdekur “në territorin shqiptar”. Aleksandër Rankoviçi,në kongresin themelues të Partisë Komuniste të Serbisë më 8-12 maj 1945 ka deklaruar se ”udhëheqësit e eshalonit e nxitën revoltën midis shqiptarëve”, duke planifikuar të vrisnin “ 40 shqiptarë për një luftëtarë të vrarë”, duke vazhduar se “udhëheqësit tanë hapën zjarr dhe i vranë 300 shqiptarë”. Në Tivar ka qenë e vendosur Brigada e X malazeze, rreth 100 luftëtarë të Komandës vendore, një pjesë e mbrojtjes popullore, një pjesë e Brigadës së Bokelit, dhe një numër i madh i të plagosurve të cilët ishin të armatosur, refugjatë dhe popullsi vendase.
Dihet që pas kapitullimit të Italisë fashiste (shtator 1943) Shtabi Suprem i UNÇJ-së, shtoi administrimin e vet ushtarak, në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare. Për t´i realizuar më lehtë synimet e saj, udhëheqja jugosllave, në fillim të janarit 1945 urdhëron mobilizimin e “brigadave të Kosmetit” për t´i dërguar në Frontin e ashtuquajtur të Sremit në Serbi. Ndonëse qendra e rezistencës shqiptare në gjysmën e dytë të dhjetorit 1944 janar 1945 ishte përqendruar në Drenicë, ”Shtabi Operativ i Kosmetit”, urdhëroi Shaban Polluzhën që ta lëshonte Drenicën dhe të nisej në drejtim të Podujevës, për t´u bashkuar me Brigadën VII, e cila po marshonte për Serbi.
Shtabi i Brigadës së Drenicës largimin nga Kosova, do ta kushtëzojë me ndërprerjen e vrasjeve dhe të plaçkitjeve mbi popullsinë civile nga ana e ushtrisë jugosllave, mirëpo pas dështimit të nënshtrimit të Shaban Polluzhës më 25 janar nisin operacionet ushtarake në shkallë të gjerë për asgjësimin e Brigadës së tij. Në këto operacione antishqiptare morën pjesë: Divizionet 24, 26, 44, 46, 52 të Serbisë, Divizionet 41 dhe 50 të Maqedonisë, grupi i brigadave të Malit të Zi(brigada e I e Bokës dhe brigada e VI) dhe repartet speciale të OZN-s të drejtuara nga Spasoje Gjakoviq. Në kohën kur forcat jugosllave zhvillonin operacionet më të përgjakshme në Drenicë,më 8 shkurt 1945,komandanti suprem i UNÇJ-së J.B.Tito me urdhër të veçantë nr.31 vendosi administrimin ushtarak në Kosovë. Këtë vendim Tito-ja e mori më 7 shkurt 1945 në Beograd, në një takim me ushtarakët serb ku caktoi komandant Savo Dërleviqin. Me këtë urdhër i tërë pushteti në Kosovë, do t´i kaloi një grupi të caktuar ushtarakësh serbo-malazez, të cilët do të ushtronin pushtetin politik, ekzekutiv dhe atë gjyqësor.
Kjo makineri ushtarake në Kosovë duke i marrë të gjitha masat gjoja për “spastrimin” e terrenit nga “mbeturinat e fashizmit” dhe “kundërrevolucionarët” vrau e masakroi pamëshirë mijëra shqiptarë gjithandej Kosovës. Në këtë fushatë të egër ushtarake më 21/22 shkurt 1945 u shua me gjak edhe kryengritja e Drenicës, pas vrasjes së tribunëve popullorë si Shaban Polluzha e Mehmet Gradica në kullat e Dvoranëve në Tërstenik.
Shtabi Operativ i “kosmetit” i urdhëruar nga SHS i UNÇJ-së me qëllim të shpërbërjes së bërthamës së qëndresës shqiptare në Kosovë, gjatë muajve mars-prill 1945 mobilizon me dhunë shqiptarët për t´i dërguar në frontin e dytë të ashtuquajtur të ”Adriatikut”- në veriperëndim të Jugosllavisë. Planifikuesit e Masakrës së Tivarit, për dërgimin e mobilizuesve shqiptarë në pjesët veriperëndimore të Jugosllavisë, kishin zgjedhur rrugën Prizren-Kukës-Shkodër-Tivar-Dubrovnik-Rijekë. Për këtë front mobilizuan shqiptarët nga Vushtrria, Podujeva, Prishtina, Kaçaniku, Ferizaj, Gjilani, Lipjani, Shtimja, Theranda, Istogu, Peja, Gjakova, Rahoveci, Sharri, Prizreni…etj. Sipas kujtimeve të pleqve që përjetuan këtë mobilizim të dhunshëm të mobilizuarit shqiptarë, fillimisht janë tubuar nëpër qendrat e rretheve dhe ato komunale e pastaj, të organizuar në njësi ushtarake të komanduara nga oficerë shqiptar kanë udhëtuar në qendrën e përgjithshme mobilizuese(kazermën ushtarake) në Prizren. Depërtimi i shqiptarëve të mobilizuar, nga kazermat e Prizrenit u bë në tri eshalone:
1.Eshaloni i parë që përbëhej nga 3.700 veta,u nis më 24.03.1945 dhe pas 5-6 ditësh arriti në Tivar, ku iu dorëzua reparteve të Divizionit të IX-të jugosllav. Gjatë rrugëtimit, derisa u dorëzuan në vendin e caktuar, të mobilizuarit u keqtrajtuan në mënyrë shtazarake nga kriminelët serbo-malazezë. Të mobilizuarit shqiptar nga Tivari do të nisen për në Istri, ku fillimisht disa ditë do të ndalojnë për të pushuar në ujdhesën Çiovë afër Trogirit. Dhe ato ditë gjatë kalimit me një anije të vjetër,nga ujdhesa për në Trogirë,u mbytën rreth 65 veta, prej të cilëve 29 qenë vetëm nga Kaçaniku.
2.Eshaloni i dytë i përbërë nga 4.700 veta, u nis dy ditë më vonë (më 26 mars) nën përcjelljen e forcave të Brigadës XXVII dhe më 30 mars në Shkodër iu dorëzua Brigadës X malazeze 6. Gjatë marshimit katër ditor në rrugën Prizren-Zhur-Kukës-Puk-Shkodër, përkundër lodhjeve e rraskapitjeve të mëdha nga rruga e gjatë, të mobilizuarit u maltretuan u rrahën dhe në shumë vende shumë prej tyre u vranë…si gjatë kohës së pushimit, gjatë kalimit të lumenjve apo gjatë tentimit të ndonjërit prej tyre për ta shuar etjen, në burimet e ujit. Pas këtyre peripetive nga Shkodra nën përcjelljen e malazezëve – në mesditën e 1 prillit 1945 arritën në Tivar. Atë ditë të kobshme rrugëve të qytetit shihej një mobilizim i ushtarëve serbo-malazez, të cilët vështronin me përbuzje kolonën e gjatë të shqiptarëve.
3.Eshaloni i tretë, me 2700 veta, nga Prizreni u nis më 27 mars 1945 nën përcjelljen e Brigadës XXVII. Gjatë rrugëtimit të gjatë e të mundimshëm, po ashtu ishin në mungesë të ushqimit e të higjienës dhjetëra shqiptarë të sëmurë nga tifoja dhe për pasojë disa prej tyre vdiqën. Më 1 prill gjatë kalimit të lumit Buna, u përgatit një incident me ç’rast u vranë disa prej tyre. Ndërkaq në mbrëmjen e 2 prillit ky grup arriti në Tivar dhe iu dorëzua Divizionit të IX-të dalmatin. Nga Tivari me anije u transportuan në Dubrovnik, ku u vendosën në disa objekte me destinime të ndryshme, mirëpo një grup prej 800 vetash, që ishin vendosur në një depo baroti, në një mëngjes u gjetën të ngulfatur nga një lloj helmi dhe shumica prej tyre gjetën vdekjen.
Përgjatë vitit 1945 rrugës për në Tivar u mobilizuan me forcë në ushtrinë jugosllave të rinj shqiptarë nga të gjitha trevat e Kosovës, por gjatë rrugës u pushkatuan mijëra shqiptarë, që përpiqeshin të arratiseshin për tu shpëtuar provokimeve dhe maltretimeve që ju bëheshin nga serbët.
– Sipas burimeve arkivore rezulton se në Tivar më 1 prill 1945 u vranë e u masakruan rreth 1700 shqiptarë, ndonëse nga kujtimet e dëshmitarëve që përjetuan këtë masakër del se ky numër mund të jetë shumë më i madh. Ku vetëm në Tivar, brenda një nate dhe një dite u vranë 1600 shqiptarë të mobilizuar. Këto dhe të tjera sulme mbi popullatën shqiptare menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, ishin në një linjë me programin e dytë të Vasa Çubrilloviqit që kishte të bënte me “Problemin e minoriteteve në Jugosllavinë e Re”. I cili ishte dërguar qeverisë jugosllavo-komuniste më datë 3 nëntor 1944, duke u bërë një platformë shtetërore. Që nënkuptonte asimilimin dhe shfarosjen fizike të shqiptarëve në Jugosllavi.
Ilir Bytyçi- historian dhe përgjegjës i Muzeut në Ferizaj