????????????????????????????????????

Editorial

MASAKRA E REÇAKUT, NJËRA NDËR ARSYET KRYESORE TË INTERVENIMIT TË NATO-S

By FerizajPress

January 14, 2017

Masakra e Reçakut e cila ndodhi më 15 janar të vitit 1999 në të cilën u ekzekutuan 45 civil nga forcat paramilitare serbe ishte një kthesë shumë e madhe e cila ndërroi rrjedhojën e përballjes së shqiptarëve kundër okupatorit sepse deri në atë kohë faktori kosovar sfidohej me të gjitha fuqitë vetanake përballë një gjiganti siç ishte Serbia. Diplomati Wiliam Walker i emëruar në krye të Misionit verifikues në Kosovë, mision paqeruajtës i deleguar nga Organizata për siguri dhe bashkëpunim në Evropë, ishte dëshmitari i cili pa për së afërmi atë se çka ishte duke ndodhur në Kosovë. Aktet të cilat po kryheshin në Kosovë ishin në kundërshtim të thellë me Nenin 3 të Deklaratës Universale mbi të drejtat dhe liritë themelore të njeriut po ashtu pasojnë shkelje të rëndë të Nenit 5 të Akteve ndërkombëtare të drejtësisë në të cilën ndalohen Krimet kundër njerëzimit, Gjenocidi, Krimet e Luftës dhe Agresioni. Edhe pse në një formë, intervenimi i NATO-s nuk ishte tërësisht legjitim, duke pasur parasysh kundërshtimin e Rusisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara e cila është anëtare e përhershme, por në anën tjetër ky intervenim cilësohet i drejtë sepse mori në kontroll një pjesë të botës në të cilën po kryheshin këto krime të rënda, për ti parandaluar ato dhe për ti dhënë një goditje agresorit i cili nuk njihte kufijtë e së keqes. Masakra e Reçakut ishte njëra ndër arsyet kryesore të intervenimit të NATO-s e cila përshpejtoi procesin e konfrontimit në mes të popullit të Kosovës të udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare dhe forcave paramilitare serbe. Këtë vendim për të intervenuar e bëri edhe më të fuqishëm refuzimi i nënshkrimit të Marrëveshjes së Rambujesë nga ana e Serbisë e cila shterri diskutimin në tryeza për të kaluar në operacione konkrete. Shumë përfaqësues të qeverive perëndimore, grupet e të drejtave të njeriut dhe organizatat ndërkombëtare theksuan se operacioni në Reçak ishte një masakër e qëllimshme e cila është kundërshtim të hapur me marrëveshjet e mëparshme serbe për t’i dhënë fund dhunës në Kosovë. Sot, në përvjetorin e Masakrës së Reçakut u ngrit shtatorja e heroit të gjallë “Wiliam Walker” i cili do të mbetet njëri nga miqtë më të çmuar që kemi sepse në mënyrë të vendosur insistoi që e vërteta e ngjarjeve në Kosovë të prezantohet në opinionin e gjerë pikërisht ashtu siç është dhe jo siç e kanë prezantuar çdoher rrjetet propagandistike serbe. E gjithë sakrifica e bërë për liri dhe këta njerëz të cilët na dolën në ndihmë në kohët më të vështira, bënë që sot të jemi të lire dhe të pavarur. Reçaku e Prekazi, por edhe shumë vende tjera në të cilat u zhvillua luftë e përgjakshme, janë identiteti i shtetit tone të pavarur dhe këtë nuk duhet harruar kurrë!\

Elbasan Osmani Master i Shkencave Politike & Politikave të BE-së