Lajme

Marshimi në Turqi, mijëra persona i afrohen Stambollit

By FerizajPress

July 05, 2017

Nën drejtimin e Partisë Republikane të Popullit dhe liderit të saj Kemal Kilicdaroglu, i cili tashmë nga shumë njerëz po quhet Gandi i Turqisë, mijërat e njerëzve u nisën nga Ankaraja javë më parë në marshimin 450 kilometra të gjatë drejt Stambollit.

Marshimi ka pasur shumë sukses dhe është zgjeruar në çdo qytet ku protestuesit kanë kaluar. Por sigurisht nuk mungojnë as mbështetësit e presidentit Erdogan që përpiqen të irritojnë protestuesit ose thjesht të shfaqin kundërshtimin e tyre për marshimin.

Vetë Erdogan thotë se protestuesit mund të konsiderohen si tradhtarë dhe mbështetës të grushtit të vjetshëm të shtetit, por fjalët e tij nuk i kanë habitur dhe as trembur protestuesit.

Marshimi nisi pas burgosjes për 25 vjet të një deputetit të Partisë Republikane të Popullit, pasi ai i kishte dhënë informacione mediave. Por tashmë protesta nuk është më thjesht për një arrestim, pasi kurdët dhe të majtët i janë bashkuar nacionalistëve, që të gjithë me mjaft ankesa kundër qeverisë “Erdogan”, përcjell TCh.

Lideri i protestës Kilicdaroglu thotë se po marshon për gazetarët e burgosur, akademikët që janë shkarkuar nga detyra dhe të gjithë ata që u spastruan me të padrejtë pas grushtit të dështuar të shtetit, por edhe për këdo tjetër që kërkon drejtësi.

Marshimi pritet të përfundojë me një miting të madh në Stamboll të dielën, megjithëse nuk është ende e qartë nëse autoritetet do të lejojnë zhvillimin e tij.