Lajme

Marrëveshja për “Drejtësinë’, Rama: Një moment historik

By FerizajPress

July 20, 2016

Arritjen e një marrëveshjeje të përbashkët për votimin e reformës në drejtësi, kryeministri Edi Rama e ka cilësuar si një moment lehtësimi për të gjithë shqiptarët. Sipas tij, opozita i është nënshtruar vullnetit të hekurt të popullit shqiptar, në lidhje me votimin e reformës në drejtësi.

“Është një moment historik dhe lehtësimi për të gjithë shqiptarët, e këtij vendit,me të cilët tani më e kanë marrë lajmin se Partia Demokratike i është nënshtruar vullnetit të hekurt të popullit shqiptar dhe vullnetit të hekurt të partnerëve tanë strategjik që bashkë të çojmë përpara një reformë historike që i hap rrugë revolucionit në sistemin e drejtësisë, dhe përmbysjen përfundimtare të kastës së korruptuarve dhe inkriminuarve që mban peng drejtësinë në këtë vend”, tha Rama. Më pas Kryeminstri ka lexuar letrën e përbashkët që tre krerët e partive më të rëndësishme politike morën sot nga eurokomisioneri Hanh. Sipas shefit të qeverisë, vijat e kuqe ishin dhe do të mbeten aty, të pa lëvizura.

“Vijat e kuqe ishin aty, janë aty dhe do të mbeten aty të pa lëvizura me votimin unanim të reformës në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. Dua të jap përgjigje atyre që patën një moment shqetësimi, lidhur me shpalljen e fitores nga ana e kreut të Partisë Demokratike. Së parë, jam i gëzuar që PD, u bë pjesë e kësaj fitoreje të madhe për Shqipërinë dhe shqiptarë, e dyta jam i frymëzuar që përpjekja për t’i shpallur luftë SHBA dhe BE, rezultoi një flluskë sapuni. Dhe e treta, dua të ndaj faktin se ky është drafti i reformës kushtetuese dhe në këtë draft nuk lëviz absolutisht asgjë”, vijoi Kryeministri.