Ferizaj

Marrëveshja e komunës me ”Caritas Kosova” parasheh punësimin e 22 personave

By FerizajPress

October 22, 2018

Për 22 vende të reja pune që shpalli “Caritas Kosova” për dy çerdhe publike, një në qytet dhe tjetra në Greme, kanë aplikuar rreth 300 kandidatë. Ky konkurs i cili u mbyll sot, është në kuadër të marrëveshjeve që komuna e Ferizajt dhe ”Caritasi” i kanë bërë edhe më herët. Drejtues të organizatës ”Caritas Kosova” u zotuan se procesi i rekrutimit të punëtorëve të rinj do të kryhet pa ndonjë pengesë e presion, ndërsa menaxhimi i këtyre institucioneve parashkollore do të bëhet sipas praktikës që kjo organizatë ka me çerdhen “Engjujt ” në këtë qytet.

“Në këtë konkurs janë kërkuar edukatore, motra edukatore, pastaj stafi përcjellës siç janë zyrtarë të administratës, kuzhinës, pjesës së pastrimit dhe rojet. Këto kopshte janë ndërtuar që një kohë, por që nuk janë funksionalizuar akoma, prandaj janë edhe disa punë që duhet të kryhen në mënyrë që ato të bëhen të gatshme për pranimin e fëmijëve, janë kopshte të vogla dhe nuk do të ketë numër të madh të fëmijëve, aty do të punohet në bazë të eksperiencës që kemi me kopshtin në ”Lagjen e Re” po ashtu në bashkëpunim me komunën”, tha  Alfred Pjetri nga “Caritas Kosova”.

Përvoja tregon se jo gjithmonë marrëveshjet mes komunës dhe ”Caritasit” për punësim në institucione publike kanë shkuar me rregull. Përveç vonesave të pagave, punëtorët e punësuar përmes këtyre marrëveshje nuk kanë pasur asnjëherë siguri me kontratat e tyre të punës. Madje, me të ardhë në pushtet qeveria e Agim Aliut si keqpërdorimin më të madh të buxhetit komunal nga ish-qeveria e LDK-së, i kishte cilësuar marrëveshjet e tilla.

Në pamundësi për t’i bërë vet këto çerdhe si institucione publike ne kemi arritur marrëveshje që kanë qenë edhe më herët me ”Caritas Kosova”, por gjithnjë duke pasur parasysh se ne kemi planifikuar buxhete të cilat na duhen për vitin e ardhshëm duke mos shkaktuar probleme që na kanë përcjellur gjatë këtij viti. Pra, kemi sigurinë financiare dhe ato telashe nuk do t’i kemi”, tha drejtori i Arsimit Afrim Llabjani.

“Sa i përket qëndrueshmërisë ne kemi një marrëveshje 5 vjeçare me komunën e Ferizajt kështu që nuk shohim ndonjë rrezik financiar për këtë projekt. Marrëveshja është e njëjtë siç ka qenë edhe me kopshtin tjetër, një pjesë e buxhetit është nga komuna, një pjesë është nga të hyrat që paguajnë fëmijët, si dhe pjesa tjetër mbulohet nga ”Caritasi”. Ndryshe, të punësuarit janë të regjistruar dhe u paguhen të gjitha kontributet sikurse edhe punëtorëve të çerdheve të tjera publike, po ashtu edhe pagat janë të njëjta“, tha Pjetri nga organizata ”Caritas Kosova”.

Se sa është bërë hulumtim paraprak për numrin e fëmijëve që mund të pranojnë këto çerdhe publike aty ku janë ndërtuar, drejtori i Arsimit dhe zyrtar të ”Caritasit” patën përgjigjet e tyre.

“Duke pasur parasysh që fshati Greme është njëri ndër fshatrat më të mëdha dhe kërkesat janë jashtëzakonisht të mëdha atje kur dihet se shumica e familjeve kanë bizneset e veta dhe janë të punësuar shumica në to, kështu që e kemi parë të arsyeshme që aty të funksionalizohet, po shpresojmë që çerdhja do të nisë nga 1 nëntori. Po ashtu, edhe këtu tek ish-tregu i kafshëve objekti është ndërtuar dhe ne kujtojmë që është një zonë që do të mbuloj arsyeshmërinë e investimit, pasi që shumë familje kanë të punësuar në Afganistan dhe ka ndodhë një hov i madh i ndërtimit të shtëpive andej“, tha Llabjani.

“Analiza tjetër e ”Caritasit” është që ne kemi një listë të pritjes në kopshtin ”Engjujt” dhe po shpresojmë shumë që edhe këto dy çerdhe do të kenë interesim të madh nga prindërit“, tha Alfred Pjetri.

Televizioni Tema kërkoi nga Drejtoria e Arsimit që ta ketë kopjen e marrëveshjes mes komunës dhe ”Caritasit” për konkursin e ri që shpalli për këto dy çerdhe, por drejtori tha se marrëveshja ndodhet në kabinetin e kryetarit, ndërsa këta të fundit duke e hedhur përgjegjesinë tek njëri tjetri nuk qenë të gatshëm që ta bëjnë publike këtë marrëveshje./Tv Tema