Sot në Kroaci është mbajtur ceremonia zyrtare për shpalljen e ushtarit më të mirë për vitin 2016. Gara është zhvilluar dy ditë në poligonin ushtarak “Gjakovo”, në Grubisnjo-Polje të Kroacisë.
Në këtë garë, në konkurrencën e femrave, Toger Manushaqe Nura zuri vendin e parë dhe është nderuar me medalje.
Gara për përzgjedhjen e ushtarit më të mirë, që mbahet çdo vit në Kroaci, është njëra ndër garat ushtarake më të forta në botë.
Siç bëhet e ditur në një komunikatë për media të Forcës së Sigurisë së Kosovës në këtë garë ushtarake kanë marrë pjesë përfaqësuesit e 15 shteteve të NATO-s, si dhe shumë përfaqësues të shteteve partnere të Kroacisë.
Pos Nurës, Kosovën në Kroaci e kanë përfaqësuar edhe Tetarët Binak Podrimçaku dhe Feti Pronaj.
Atje kanë marrë pjesë 145 ushtarë, të cilët kanë marshuar 40 kilometra me 17.6 kilogram ngarkesë në shpinë, si dhe i kanë kaluar-ekzekutuar 13 detyra ushtarake, bën të ditur Forca e Sigurisë së Kosovës, transmeton Klan Kosova.