Mali i Zi nënshkruan nesër protokollin e anëtarësimit në NATO

By FerizajPress

May 18, 2016

Sekretari i përgjithshëm i Aleancës Veri-Atlantike, Jens Stoltenberg, ka thënë se pasi ta kenë ratifikuar protokollin të gjitha vendet anëtare të NATO-s, Mali i Zi do të bëhet vendi i 29-të anëtar i saj, shkruan rel.

“Është një ditë historike për aleancën, për Malin e Zi dhe për qëndrueshmërinë në Ballkanin Perëndimor, sepse zgjerimi i NATO-s me Malin e Zi konfirmon se dyert e NATO-s janë të hapura dhe është një hap i ri në një politikë shumë të suksesshme të zgjerimit edhe të NATO-s, edhe të Bashkimit Evropian. Zgjerimi i NATO-s, për shumë vite, i ka kontribuar stabilitetit, paqes dhe sigurisë në Evropë dhe tani Mali i Zi do të jetë pjesë e saj”, ka thënë Stoltenberg.

Ai i ka bërë këto komente në prag të një takimi të ministrave të Jashtëm të NATO-s, i cili zhvillohet të enjten dhe të premten në Bruksel.

Podgorica ka marrë ftesën për anëtarësim në NATO në dhjetor të vitit të kaluar, 16 vjet pasi aleanca ka bombarduar Malin e Zi gjatë luftës në Kosovë, kur ai ende ka qenë pjesë e Jugosllavisë.

NATO, për herë të fundit, është zgjeruar në vitin 2009 me Shqipërinë dhe Kroacinë.

Mali i Zi ka një ushtri të vogël me rreth 2,000 anëtarë aktivë.

The post Mali i Zi nënshkruan nesër protokollin e anëtarësimit në NATO appeared first on Lajminet.