Lajme

Majko tregon se çfarë do të ndodhte po të hyjë ushtria serbe në Kosovë

By FerizajPress

September 30, 2018

Ministri i Diasporës në Qeverinë e Shqipërisë ka komentuar tensionet rreth veriut të Kosovës.

Pandeli Majko në një postim në profilin e tij në Facebook ka folur për ndërhyrjen e mundshme të ushtrisë serbe në territorin e Kosovës dhe se çfarë do të ndodhte po të bëhej kjo.

Majko në shkrimin e tij deklaroi se një ndërhyrje e ushtrisë serbe në Kosovë nuk do të ishte korrigjim i kufijve, por një konflikt që asnjë planifikues ushtarak nuk do ta këshillonte.

Sipas tij një ndërhyrje e tillë do të prodhonte një efekt domino i cili do të sillte ndërhyrjen e fuqive të mëdha.

“Nëse Beogradi dëshiron të korrigjojë statusin e vet rajonal ka një rrugë tjetër. Ai nuk kalon nga armiqësia me shqiptarët apo ndarjet etnike”.

Shkrimin e plotë të Majkos mund ta lexoni më poshtë./21Media

“KORIGJIMI I STATUSIT TE SERBISE…

Kujtesa është një funksion i pasigurtë në mardhënien me historinë. Ajo nuk vlerëson përsëritjen.

Serbët janë të kuptueshëm kur duan destabilitet. Ky është një “profesion” që historia jua ka njohur. Por, aktualisht ekziston vec një dëshirë e Beogradit zyrtar për të ngritur tensionin në rajon si një diplomaci verifikuese.

Presidenti Vucic dje në konferencë shtypi bënte pyetje në distancë. “Pse duhet të përmbahemi? Kjo është pyetja ime për BE. Ju lutem, Mogerini, Kocijaniq të më shpjegoni çfarë të përmbahemi?”…

Po i njejti Vucic në fundin e gushtit në Vjenë deklaroi se “… Ne e konsiderojmë Kosovën një vend të lirë…Ne duam të bëjmë diçka për njerëzit tanë. Ne duam të sjellim diçka të mirë për serbët dhe për shqiptarët.”

Shefi i të vetëquajturës “zyra për Kosovën” në qeverinë serbe zhvilloi dje leksione publike për historinë duke kujtuar situatën para konfliktit izraelito-egjiptian.

Politika e Beogradit ka marrë pamjen e kryeministres së saj ku paraqitja dhe përmbajtja janë dy gjëra të ndryshme. Serbia ka një administratë profesionale për ti shpejguar drejtuesve të shtetit se cfarë ndodh në se ushtria serbe ndërhyn në territorin e shtetit të Kosovës. Ky shtet është nën mbrojtjen e NATO-s . Kjo ndërhyrje nuk do të ishte “korrigjim”. Ajo do të jetë një konflikt që një planifikues ushtarak nuk do ta këshillonte.

Europa njihet për mungesën e aksionit por jo të reagimit. Ndërhyrja e Serbisë në Kosovë do të prodhonte një efekt domino i cili do të sillte ndërhyrjen e fuqive të mëdha. Kjo ndërhyrje nuk gjen shpejgim me historinë e konfliktit të Egjiptit me Izraelin.

Problemi kryesor i politikës amerikane dhe Perëndimin po shfaqet me “Kualicionin e Sirisë” i cili po prish balancat në Lindjen e Mesme. Kualicioni i Sirisë dhe Serbia kanë një marrdhënie të ngushtë.

Serbët po shfaqin diplomacinë e “forcës” për shkak të përkrahjes së Moskës. Në vitin 1999 një grup ndërhyrjeje prashutistësh rus mori aeroportin e Prishtinës. Në se uniformat ruse do të vinin nga baza e Nishit dhe do vendosen në urën e Mitrovicës “në mbrojtje të paqes”… Kjo po… që do të ishte një krizë e vërtetë. Por, askush mos kërkojë protagonizëm pas kësaj.

Politika ruse nuk bën biznes. Ajo parapëlqen “shahun”.

Pyetja që duhet ti bëjnë vetes pas kësaj politikanët e Beogradit është e vështirë. Do tju duhet të vlerësojnë në se në një konflikt rajonal do tju mjaftojë “statusi i Asadit”. Dhe bëhet fjalë për një rajon thuajse të integruar në NATO dhe Bashkimin Europian ku nuk duhet tu gënjejë mendja se do jenë “Izraeli” i Lindjes në Perëndim…

Kujtesa është funksioni më i pasigurtë në mardhënie me politikën. Ajo nuk të jep pasqyrim të plotë të ngjarjeve vec të ndihmon të krijosh pasqyrimin e vetvetes.

Politika serbe është në një ditë të vështirë. Arsyeja është tek thjeshtësia e asaj që po vjen. Kjo është një kërkesë e papëlqyer në ish Beogradin e Titos. Të qenit një tokë e përbashkët e Lindjes dhe Perëndimit nuk funksionon më. Drama e vërtetë e Beogradit zyrtar është pamundësia për të qenë Jugosllavia e dikurshme. Kjo situatë nuk kalon me skërmitje. Nuk është hera e parë që politikanët serbë dobësinë e fshehin me shfaqje force.

Në se Beogradi dëshiron të korrigjojë statusin e vet rajonal ka një rrugë tjetër. Ai nuk kalon nga armiqësia me shqiptarët apo ndarjet etnike. Një shekull histori janë të mjaftueshëm për të vërtetuar këtë. Në fund, ky është një vendim serb. Privilegji i fundit për dikë në udhëkryqin midis paqes dhe konfliktit. Sigurisht.”