Ferizaj

“Mafia e betonit” – vijon beteja 65 mijë euroshe e biznesmenit Grainca me Dimal Bashën

By FerizajPress

February 13, 2022

Një betejë ligjore ndërmjet Dimal Bashës, deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Mustafa Graincës, një biznesmeni të ndërtimit, do të vijojë në Gjykatën e Ferizajt. Grainca kërkon nga Basha 65 mijë euro dëmshpërblim për shpifje.

Deputeti Dimal Basha mund t’i humbë 65 mijë euro në rast se nuk arrin të vërtetojë akuzat e tij kundër Mustafa Graincës.

Kontesti mes Graincës, një biznesmeni të ndërtimit, me deputetin Dimal Basha është rikthyer për gjykim në shkallën e parë të gjykatës.

Gjykata Supreme ka rrëzuar dy aktgjykimet e Gjykatës Themelore dhe Gjykatës së Apelit, duke i dhënë të drejtë paditësit.

Grainca ka ushtruar padi për shpifje kundrejt Bashës, me kërkesë për kompensimin e dëmeve që pretendon se i ka shkaktuar, raporton Paparaci. Afaristi kërkon 65 mijë euro dëmshpërblim në formë kompensimi nga deputeti i LVV-së.

Basha, në një deklarim publik, e kishte akuzuar Graincën për keqpërdorime dhe parregullsi në biznesin e ndërtimit në Komunën e Ferizajt. Deputeti, e kishte quajtur “mafi të betonit” veprimtarinë e Graincës.

Gjykata Supreme, në një aktvendim të nxjerrë të enjten, shkatërroi aktgjykimet e dy shkallëve të para dhe e ktheu lëndën në rigjykim.

“Pranohet si i bazuar revizion i paditësit ,PRISHEN aktvendimi i Gjykatës së Apelit të Kosovës Acnr, 444/21 i datës 10. 2021, dhe ai i Gjykatës Themelore në Ferizaj-Departament Përgjithshëm, C nr 808/19, të datës 16 12 2020, dhe lënda i kthehet gjykatës së shkallës së parë në vendosje”, thuhet në aktvendimin e SupremesNë aktgjykimin të cilin e ka siguruar mediumi online Paparaci, Gjykata Supreme vlerëson se Gjykata Themelore në Ferizaj “duhet të vendosë lidhur me kërkesëpadinë e paditësit”.

“Meqenëse paditësi me datën 24.12.2020 ka paguar taksën shtesë për padi, gjykata e shkallës së parë pas administrimit të provave të propozuara dhe vlerësimit të tyre duhet të vendos lidhur me kërkesëpadinë e paditësit”, thuhet në aktgjykim.

Në një atkvendim të 10 shkurtit të vitit të kaluar, Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore që e cilësonte si të “tërhequr padinë e paditësit [Mustafa Grainca, v.j] kundër të paditurit Dimal Basha”.

Sipas aktvendimit fillestar të Gjykatës Themelore, me konsiderimin e padisë si të tërhequr, deputeti Basha kishte paditur Graincën që të paguajë shpenzimet e procedurës civile.“[…] ndërsa në pikën II e ka detyruar paditësin që të padituri t’ia paguajë shpenzimet e procedurës në shumë prej 1.558.00 Euro, brenda afatit prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktvendimit, nën kërcënim të përmbarimit”, thuhet në aktvendim.

Grainca është një afarist në fushën e ndërtimit. Ai është pronar i “IDEA Invest” Sh.P.K., e cila është themeluar më 2015. Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, kompania figuron të ketë aktivitet primar ndërtimin e objekteve banesore dhe jobanesore.

Më parë, ai ka qenë i përfshirë në Partinë Demokratike të Kosovës. Ka ushtruar për më shumë se një vit funksionin e zv/ministrit të Financave.

Ndërkaq, Dimal Basha, një deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, është duke shërbyer në legjislaturën e dytë në funksionin e ligjvënësit. Ai, është pjesë e Qendrës së LVV-së në Ferizaj. /Paparaci.com