Ferizaj

LVV fton ferizajasit për ndryshim

By FerizajPress

September 22, 2017

Ferizaj.22.09.2017. Lëvizja Vetëvendosje në Ferizaj, fushatën e vazhdoi në sheshin e qytetit duke ftuar qytetarët që të regjistrohen si vullnetarë për të ndihmuar këtë subjekt politik drejt fitores. Kandidati për kryetar komune nga Vetëvendosje, Faton Topalli, tha se ndryshimi në Ferizaj është i mundur vetëm nëse angazhohen të gjithë qytetarët.

“Ne i ftojmë qytetarët e Ferizajt që të na bashkohen si vullnetarë dhe këtë e mendojmë disa qindra vullnetarë me të cilët ne dëshirojmë ta bëjmë ndryshimin në Ferizaj, ndryshimi është i mundshëm vetëm nëse të gjithë së bashku bëhemi pjesë e ndryshimit dhe angazhohemi të gjithë së bashku. Në zgjedhjet e 11 qershorit na u janë bashkangjitur qindra qytetarë, prandaj dhe fitorja ka qenë e mundshme pikërisht nga vullnetarët dhe së bashku edhe në këto zgjedhje do të jemi pjesë e ndryshimit”, tha Topalli.

Topalli tha në zgjedhjet e 11 qershorit qytetarët treguan se janë të gatshëm për ndryshime.

“Që ka ardhur koha për ndryshim dhe qytetarët e Ferizajt janë të gatshëm për ndryshime e treguan zgjedhjet e 11 qershorit, tani na duhet për ta bërë edhe hapin tjetër, hapin vendimtar, mesazhi im për qytetarët është bëhuni pjesë e ndryshimit, ejani ta bëjmë së bashku ndryshimin, ndryshimi vjen në qoftë se të gjithë së bashku angazhohemi, ne si Vetëvendosje do të angazhohemi që në qeverisjen tonë qytetarët të jenë të përfshirë pavarësisht kënd e kanë votuar, ndryshimi vjen së bashku dhe ne jemi të gatshëm të ofrojmë mundësi për ndryshim”, theksoi Topalli.

Lëvizja Vetëvendosje tha është e hapur në çdo kohë për vullnetarët që dëshirojnë t’i bashkohen asaj gjatë fushatës zgjedhore, transmeton Tv Tema.