Lajme

Lumezi: Nuk ka akuzë për përgjimet – Musliu: Prokuroria s’ka guxim

By FerizajPress

August 03, 2016

Prokuroria e shtetit të Kosovës nuk do të fillojë hetime lidhur me bisedat e përgjuara telefonike të shefit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, me zyrtarë të ndryshëm të kësaj partie, përfshirë edhe ish-kryetarin e saj, Hashim Thaçi, dhe kryetarin aktual, Kadri Veseli.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, tha se përgjimet e bisedave telefonike të zyrtarëve të lartë të PDK-së kanë qenë objekt i shqyrtimit ndërkombëtar, të prokurorit të Eulex-it, në rastin e ish-Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës, në vitin 2011.

“Niveli i provave që kanë qenë objekt i vlerësimit nga prokurori ndërkombëtar, sipas tij, nuk kanë qenë të mjaftueshme për të ngritur akuzë. Tani ato prova nuk mund të rivlerësohen si bazë e mjaftueshme për fillimin e procedurës penale, sepse cenojnë parimin e sigurisë”, tha Lumezi.

Bisedat e përgjuara të shefit të grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, u publikuan pak ditësh më parë nga gazeta në internet, Insajderi.com, dhe në bazë të tyre zyrtarë të lartë të Partisë, sipas gazetës, shfaqin ndikimin e ushtruar nga kjo parti në emërimet në postet qeveritare, në drejtësi, media dhe në polici.

Gazeta pohon se ka mbi njëmijë biseda të përgjuara telefonike, të nxjerra me vendim gjykate, gjatë fundvitit 2011, dhe ato u rishfaqën sërish pas gati pesë vjetësh.

Për rihapje të hetimit, ka thënë Lumezi, duhen prova të reja, të cilat nuk kanë qenë objekt vlerësimi nga prokurori ndërkombëtar.

“Në këtë moment nuk kemi të gjitha të dhënat e duhura, andaj mund të jetë e parakohshme të japim çfarëdo komenti në lidhje me rastin. Mirëpo, sigurojmë se do të veprojmë në pajtim me ligjin dhe rastin do ta trajtojmë me përkushtim maksimal dhe profesionalizëm, për aq sa do të kemi mundësi ligjore që të veprojmë.”

“Si Kryeprokuror i Shtetit garantoj se askush nuk është i paprekshëm dhe nëse gjejmë se ka elemente se janë kryer vepra penale, atëherë Prokurori i Shtetit do të veprojë me gjithë forcën e ligjit dhe personat përgjegjës do t’i nxjerrë para ligji”, ka thënë Lumezi.

Por, deklarimet e kryeprokurorit të shtetit janë cilësuar si “skandaloze“ nga Betim Musliu, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi. Ai i tha Radios Evropa e Lirë se deklarimi i kryeprokurorit, pa dëgjuar të gjitha përgjimet, krijon dyshime se edhe këtu ka ndikim politika.

Sipas tij, dyshimet rriten, pasi para fillimit të konferencës Lumezi është takuar me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Musliu konsideron se në përgjimet telefonike vërehen elemente të veprave penale, që patjetër duhet të ndiqen nga ana e prokurorit.

Por, sipas tij, “nuk ka vullnet dhe guxim që të veprohet ndaj atyre që konsiderohen të fuqishëm”.

“Aty mund të gjenden të gjitha elementet e veprave penale për të cilat prokurori i shtetit mund të ndërmerr veprime. Por është tepër shqetësuese që ende pa e parë serinë e përgjimeve që do të publikohen, kryeprokurori i shtetit e paragjykon gjithë atë që është bërë dhe mund të bëhet në ditët në vazhdim. Prandaj, kjo po dëshmon mungesën e guximit për tu ballafaquar më to, që realisht i pamë në publik“, ka thënë Musliu.

Ndryshe, Lumezi ka pranuar se para mbajtjes së konferencës ka pasur takim me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në të cilin, sipas tij, është biseduar për “mandatin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të EULEX-it”.

Pas publikimit të përgjimeve, të martën opozita i ka bërë thirrje prokurorisë që të merret “deri në fund me këtë rast”.

Nënkryetari i kësaj partie, Glauk Konjufca, ka thënë se këto përgjime dëshmojnë “se shteti është i kapur dhe udhëhiqet nga nëntoka, krerët e kësaj kapje të kriminializuar duhet të largohen me protesta”.

Protagonisti i këtyre përgjimeve, Adem Grabovci, ndërkaq për media vendore, e ka quajtur keqpërdorim të EULEX-it publikimin e këtyre përgjimeve.

Ai ka thënë se “prokuroria e EULEX-it ka përfunduar hetimin në mungesë të provave dhe, tash thotë ai, “nuk e di se në interes të kujt po publikohen përgjimet e bisedave.” /REL