Lajme

Lumezi: Hetim për 33 raste të korrupsonit të nivelit të lartë

By FerizajPress

July 27, 2016

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, i ka konfirmuar Radios Evropa e Lirë se janë mbi 33 raste të korrupsionit dhe krimit të organizuar të nivelit të lartë, përfshirë edhe nivelet ministrore që po shqyrtohen nga Prokuroria e shtetit. Lumezi tha se gjysma nga 33 rastet janë ngritur akuzat, në mesin e të cilëve edhe zyrtarë të lartë shtetërorë.

Kryeprokurori i Shtetit ndërkaq nuk bëri me dije profilet e sakta të atyre që janë nën akuza, por tha se i mbetet gjykatave që të vendosin përfundimisht për këto raste.

Pak javë më parë një ministër i Qeverisë së Kosovës, Ferid Agani, dha dorëheqje pas ngritjes së aktakuzës nga Kryeprokurori i Shtetit, për shpërdorim detyre dhe fondesh për shërim të pacientëve jashtë institucioneve publike shëndetësore. Ministri Agani u akuzua për shpërdorim detyre në kohën kur ishte minstër i Shëndetësisë në qeverinë e mëhershme.

“Ne jemi duke i trajtuar 33 raste të korrupsionit dhe krimit të organizuar të nivelit të lartë dhe kemi ngritur 19 akuza. Konsiderojmë se të gjitha akuzat janë të nivelit të lartë duke përfshirë nga ministrat e deri tek zyrtarët e lartë shtetërorë. Tani presim nga gjykata që këto lëndë t’i trajtojnë me prioritet dhe të shohim se çfarë aktgjykime do të merren në procedurën penale në gjykatë”, ka thënë Lumezi.

Kryeprokurori i Shtetit foli për Radion Evropa e Lirë, pas një takimi që zhvilloi në zyrën e ministres së re të Drejtësisë, Dhurata Hoxha, së bashku edhe me kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës Blerim Isufaj.

Ministrja Hoxha gjatë takimit tha se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është përparësi e punës dhe se do të ofrojë mbështetjen e saj për mekanizmat shtetëror që luftojnë këto dukuri.

“Unë sot pata një takim me kryeprokurorin me qëllim të vënies së përkrahjes sime të pa rezervë, në funksion të ngritjes së efikasitetit dhe ndërgjegjshmërisë ndaj Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Kryeprokurorisë. Do të kemi një bashkëpunim që të fuqizojmë luftimin e krimit të organziuar dhe korrupsionit. Si ministre e sapoemëruar, edhe Këshilli Prokurorial edhe Kryeprokuroria, do ta kenë përkrahjen time gjithmonë në ruajtje të pavarësisë së institutcioneve”, ka thënë Hoxha.

Gjykatat në Kosovë ndërkaq kanë shpallur një numër vendimesh për rastet e korrupsinonit, por asnjë të nivelit të lartë ose të niveleve ministrore. Kosova në raportet ndërkombëtare është cilësuar si vendi me nivelin më të lartë të korrupsionit dhe me, siç thuhet, “kulturë të pandëshkueshmërisë”.

Së fundi fuqizimi i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe rezultatet konkrete në këtë luftë janë shndërruar në kushtin e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën.