Lajme

“Luginën e Diellit”, Qeveria e quan spektakël të dëmshëm!

By FerizajPress

June 27, 2016

Vendbanimi i ashtuquajtur “Lugina e Diellit”, që ka nis të ndërtohet në veri të Mitrovicës, ka ngjallur reagime si tek shqiptarët e asaj pjese, ashtu edhe tek shoqëria civile e tek disa zyrtarë shtetërorë.

Ky projekt, i cili po konsiderohet si më i madhi që e ka financuar Serbia në Kosovë, nga analistë dhe njohës të sigurisë është cilësuar si poshtërim i shtetit të Kosovës.

E, ndërtimin e kësaj lagjeje, Qeveria e Kosovës e konsideron si spektakël të dëmshëm.

“E ashtuquajtura ‘Lugina e Diellit’, si një projekt vendbanimi, është e padobishme dhe në jo pak sfera e dëmshme. Është spektakël i cili nuk i kontribuon askujt”, ka thënë për Telegrafin, zëdhënësi i Qeverisë, Faton Abdullahu.

Ai ka përsëritur se ndërtimi i këtij vendbanimi ka nisur pa lejen e organeve kompetente të shtetit të Kosovës.

“Iniciohet pa leje të organeve tona kompetente dhe si e tillë nuk mund të vazhdojë. Ajo nuk e ka as edhe përkrahjen e faktorit ndërkombëtar dhe është në kundërshtim me parimet e vendosura nga Qeveria dhe Bashkimi Evropian – mbi të cilat parime ndihmohen, pa dallime, të gjithë ata që duan të kthehen në Kosovë”, u shpreh Abdullahu.

“Lugina e Diellit” është projekt serb për – siç thonë zyrtarët e Beogradit – kthimin e 1500 serbëve të shpërngulur në Mitrovicën Veriore.