Lajme

Lu fletë pas konfliktit me Prokurorin: Nuk na frikësoni

By FerizajPress

February 03, 2017

Pas akuzave të rënda të Kryeprokurorit, Ambasadori Lu është përgjigjur nëpërmjet një deklarate të shkurtër, por të vendosur dhe ka premtuar se Shtetet e Bashkuara nuk do të tërhiqen derisa reforma në drejtësi të zbatohet e plotë.

“Shtetet e Bashkuara kanë marrë një angazhim përpara popullit shqiptar për të monitoruar çdo hap të zbatimit të reformës në drejtësi. Asnjë përpjekje për të na frikësuar apo për të minuar procesin e reformës, nuk do të na pengojë që të sigurojmë që ajo do të jetë e suksesshme për të parandaluar manipulimin politik dhe korrupsionin në gjyqësor. Ky është një premtim”, thuhet në deklaratë.

Reforma në drejtësi u ka dhënë vëzhguesve ndërkombëtarë një rol të rëndësishëm në vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ata pritet të mbërrijnë në Tiranë javën e ardhshme dhe puna e tyre e parë do të jetë krijimi i një liste të zezë me personat që, sipas ndërkombëtarëve, nuk duhet të jenë anëtarë të organeve të Vettingut.

Më pas, operacioni ndërkombëtar do të monitorojë secilin prej komisioneve të Vettingut për të siguruar, siç thotë ambasadori amerikan, “që kjo reformë do të kryhet pa lejuar anësi politike dhe pa toleruar korrupsion apo paaftësi profesionale”.