Dje u zhvilluan dy ndeshjet gjysmë-finale të Kupës së Ligës Institucionale të futbollit të vogël në Ferizaj. – Në ndeshjen e parë u përballën Posta-Vala dhe SHFMU ”Imri Halili”. Ndeshja filloi me siguri të plotë nga të dyja skuadrat, por më të shpejtë në konkretizim dolën skuadra e Luan Jahirit, e cila me golin e Përparim Mulakut arritën që pjesën e parë ta përmbyllin në favorin e tyre. Në pjesën e dytë SHFMU ”Imri Halili” bëri përpjekje të kthehet në lojë, mirëpo gardiani i portës së Postës, Hasim Matoshi, kishte ditën e tij dhe assesi nuk lejoi rrjetën e golit të tij të prekej. Në anën tjetër Posta-Vala filloi ti shtojë rastet, dhe kështu shënoi dhe golat e tjerë, për të përmbyllur takimin me rezultat 5:1. Pas kësaj fitore Posta-Vala arrin në finale, kurse SHFMU ”Imri Halili” do mundohet që të merr trofeun në garat e ligës. – Ndeshja tjetër ishte ajo në mes Spitalit dhe Gjykatës. Nën një atmosferë të mrekullueshme u zhvillua edhe kjo ndeshje, në të cilën të dyja skuadrat ishin përgatitu për spektakël. Dhe ashtu ndodhi. U zhvillua një ndeshje me aksione të shpejta, raste të shumta dhe plot gola. Të dy skuadrat patën rastet e tyre, por më të saktë në konkretizim u treguan skuadra e Spitalit, e cila arriti që pjesën e parë të përmbyllë me rezultat 6:2. Në pjesën e dytë skuadra e Gjykatës tentoi rikthimin, mirëpo një gjë e tillë ishte e pamundur, andaj Spitali me plot siguri arriti që të ruajë epërsinë prej 4 golash edhe në pjesën e dytë, për të përmbyllur kështu ndeshjen me rezultat 9:5. Më i dalluari në këtë takim ishte Sherif Topalli, i cili realizoi plot 4 gola.