Lajme

Lista e urave më të rrezikshme në Shqipëri

By FerizajPress

August 18, 2018

Kushtet teknike të disa prej urave të ndërtuara para viteve ’90 në vendin tonë janë në gjendje të dobët, edhe pse qarkullimi i automjeteve është i lartë. Më alarmante gjendja paraqitet tek urat e Dragotit dhe ajo e Leklit në Tepelenë.

Tv Klan mëson se një ndërhyrje emergjente kërkojnë edhe ura e Zemblakut ne Korçë dhe ajo e Kaludhit në Përmetit. Burime zyrtare nga ARRSH bëjnë me dije se edhe dhjetëra ura të tjera kërkojnë ndërhyrje për shkak të gjendjes së amortizuar. Ky autoritet ka bërë gati edhe studimin e këtyre ndërtimeve infrastrukturore si dhe fondin e nevojshëm për ndërhyrje.

Përveç ndërhyrjeve teknike Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia Rrugore kanë nisur edhe një inspektim të sistemit të sinjalistikës vertikale dhe horizontale për tregimin e peshës së lejuar për kalimin e mjeteve mbi këto ura.

Pas ngjarjes tragjike në Genova të Italisë ku nga shembja e urës Morandi humbën jetën 41 persona, mes tyre edhe dy shqiptarë, ekspertët e ndërtimit në Shqipëri ngritën alarmin për strukturat rrugore dhe godinat e ndërtuara përpara viteve ’90, të cilat sipas tyre kërkojnë ndërhyrje emergjente pasi nuk janë të sigurta.