Qasja e qeverisjes lokale për përmirësimin e cilësisë së arsimit e veçanërisht programet e edukimit për parafillorët, ka gjetur partnerë të fuqishëm. I tillë është edhe Caritasi Zviceran. I pari i Ferizajt, Agim Aliu bashkë me drejtorin e Arsimit, Afrim Llabjani dhe zyrtaren për gjithëpërfshirje, Doruntina Asllani, pritën sot drejtorin për Kosovë të Caritasit Zviceran, Kreshnik Basha dhe zyrtaren nga kjo organizatë, Krenare Lleshi.
E arsye e takimit ishte koordinimi i mëtejmë dhe nëshkrimi i marrëveshjes mes palëve, në kuadër të projektit SHPRESË, qëllimi i së cilës është përmirësimi i cilësisë së arsimit dhe ofrimit të shërbimit në arsimin parafillor (APF), duke përfshirë edhe punën me edukatorët para-shërbimit dhe atyre që janë duke punuar, si dhe institucionet e tjera lokale relevante.
Nga marrëveshja e nënshkruar sot, Ferizaj përfiton trajnime dhe ngritjen e kapaciteteve për edukatorët parafillor gjatë vitit 2020. Janë 75 edukatorë të cilëve Caritasi Zviceran do t’i ofroj trajnime cilësore përmes institucionit partner, përkatësisht IPK dhe Master trajnerëve të tyre si dhe pajisjen e 10 (dhjetë) klasave të APF në vitin 2020 – 2021, në bashkëfinancim mes partnerëve.