Editorial

LËRINI FËMIJËT TË JENË FËMIJË

By FerizajPress

July 15, 2018

LËRINI FËMIJËT TË JENË FËMIJË (reflektim)

Po ecja sheshit të qytetit me mendje të turbulluar, pak nga vapa, pak nga angazhimet e papërfunduara, kur një e qarë e dhimbshme e një foshnje mërrëqethi trupin.Rrotulloj kokën për të parë se prej nga vjen zëri… kur në argjendarinë anash shoh një grua (me siguri e ëma) që po e mbante në prehër një foshnje 7-8 muajshe, e cila përpëlitej për t’u shpëtuar duarve të xhaxhit që me vështirësi të madhe i kapi veshin për t’ia shpuar. Kalova edhe një pjesë të rrugës duke ndjerë trupin që më dridhej e në vesh ende më kumbonte ajo e qarë… njëmijë mendime më kalonin nëpër kokë e asnjëprej tyre nuk gjente dot përgjigjen e pyetjes që vlonte brenda meje: Po pseee?? Pse është e nevojshme diçka e tillë ? A është e domosdoshme që një bebe të mbajë në veshët e saj diçka të “çmuar”?E kush mund të jetë më e çmuar për një foshnje se sa pafajësia e çiltërsia që e karakterizon?? Ne, të mëdhenjtë, vuajmë pikërisht për ato karakteristika fëmijërore, që na u zbehën me kalimin e viteve duke u lënë vend gjërave të tilla boshe, gjërave të tilla materiale si ari e argjendi në këtë rast, pas të cilave ngarendim, duke harruar se ato nuk arrijnë dot t’i mbulojnë mangësitë tona. Lërini fëmijët të jenë fëmijë… lërini “zbukurimet” e tilla… Po me atë këmbëngulje që i mbani duart e vockla tëfoshnjës ashtu që shpuarja e veshëve të përfundoj me sukses, po me atë këmbëngulje punoni fort, e me vendosmëri në mbjelljen e shprehive dhe virtyteve të mira te fëmijët tuaj.Për secilin prej nesh është në dorën tonë se çfarë qëllime i vendosim vetes, e poashtu është në dorën tonë se çfarë modeli duam t’u japim fëmijëve tanë. Duam të bëjnë diçka të vlefshme në jetën e tyre apo t’u bashkohen turmave pa një ide e synim të caktuar ?? Arrita pothuajse tek banesa ku jetoj, kur një dorë e vockël më tërhoqi krahun: “mam, po m’shtlëngon dorën”… u ktheva në realitet… kisha bërë tërë rrugën si e përhumbur nëpër mendime të tilla,e nga pamundësia për të ndryshuar diçka të tillë, kisha kapur dorën e Mirit (djalit tim) dhe po e shtrëngoja… doja ta mbaja fort, ta mbaja e ta mbroja prej këtyre të këqijave që kanë kapluar njerëzimin, ta mbroja nga kjo botë e antivlerave në të cilën po jetojmë. “Më fal zemër”- ia ktheva – “ja arritëm”.

Abetare Ajvazi – Shaqiri 14.07.2018 Ferizaj