Ferizaj

Leona Jahiri shpallet Vullnetarja e Vitit 2019në Ferizaj

By FerizajPress

January 17, 2020

Përpjekjet e të rinjve ferizajas dhe sukseset që po arrijnë këta të fundit në sensibilizimin e shumë çështjeve, aktivizimin e frymës komunitare dhe promovimit të punës vullnetare si vlerë të shoqërisë sonë, po marrin vlerësimin maksimal edhe nga institucioni i Komunës. E tillë është edhe aktivistja e dalluar rinore, studentja shembullore, tash edhe ndërmarrësja e re, Leona Jahiri, e cila me angazhimin e saj, arriti të krijoj modelin rinor të gërshetimit të përpjekjes individuale në dobi të gjithë shoqërisë.

Këtë vlerësim, tashmë tradicional, me ç’rast i riu apo e reja më aktive, më e dalluar merr titullin “Vullnetar i Vitit” e bëri Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Vet drejtorja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Xhemile Murati Shabani me këtë rast shprehu konsideratën e vlerësimin më të lartë për angazhimin e aktivistes rinore Leona Jahiri në aktivitetet që shënuan vitin 2019, që bëri me plot meritë të marr këtë titull që sot iu nda.

Dashurije Ahmeti, udhëheqëse e Sektorit të Rinisë – institucion ky bartës e vlerësues për angazhimin e të rinjve në grupe komunitare me kauza të ndryshme sociale, tha se aktivistja Jahiri është shembull që duhet të ndiqet nga vajza të reja, sesi pa kursim, me shumë pasion, mund të perfeksionohen aftësitë vetanake dhe njëkohshëm të ndihmohet shoqëria.

E drejtori i Departamentit të Rinisë në MKRS, Feim Hoxha tha se ngjarje si kjo do ta kenë mbështetjen e përhershme nga institucioni që përfaqëson.

Titulli “Vullnetar i Vitit” është vlerësimi maksimal që i jepet angazhimit të të rinjve në shoqëri, përmes punës vullnetare, titull ky i ndarë për vite me radhë, për dhjetëra të rinj të dalluar ferizajas.