Lajme

-Shumë shpejt do të takohen Haradinaj e Ymeri

By FerizajPress

August 11, 2016

Kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj ka thënë se koalicioni qeverisës nuk i ka votat për ta ratifikuar demarkacionin. “Nëse do të kishin votat, kjo marrëveshje do të vinte në Kuvend qysh nesër”, tha ai.

Duke folur në emisionin “Rrokum Roll” të Rrokum TV, Lekaj ka komentuar edhe polemikat që ka pasur me kryeministrin Isa Mustafa.

Lekaj ka thënë se i vjen keq që ka përdorur një fjalor të papërshtatshëm, por arsyetohet se është detyruar që të veprojë ashtu.

Lekaj ka thënë se është detyruar të thotë se “Zoti kryeministër e keni humb orientimin dhe nuk jeni mirë në kohë dhe hapësirë”.

Shefi i deputetëve të AAK-së, u ka bërë thirrje qytetarëve që të qëndrojnë të zgjuar dhe të mbrojnë tokat e tyre 24 orë në ditë, pasi sipas tij, në krye të vendit ka njerëz që falin toka.

Lekaj ka thënë se vetëm për bindjet dhe ambiciet e tyre personale, ata janë në gjendje që të mbajnë peng vendin dhe të falin toka.

Sipas tij, sa më shpejt që të ikë kjo kastë qeverisëse do të jetë më mirë për vendin.

Pal Lekaj ka thënë se kryeministri Mustafa niset gjithmonë prej thënies serbe “çdo çudi zgjat tre ditë”, duke shtuar se ai e dinë më mirë këtë ngase ka punuar në kohën e komunizmit.

Ai ka thënë se AAK e ka pasur përnjëmend kur ka thënë se çdo tradhti që i bëhet vendit, ata njerëz do t’i pret fati i Esat Pashë Toptanit, duke shtuar se banorët rreth kufirit me Malin e Zi janë të revoltuar me veprimet e qeveritarëve, që sipas Lekajt mund të shpie deri në konflikt me Malin e Zi.

Deputeti i AAK-së ka thënë se në kufi situata është e tensionuar ngase tashmë malazezët kanë nisë që të shenjëzojnë vendet, duke shtuar se nuk i bën mirë as qeverisë, as vendit por as qytetarëve.

Duke folur për marrëveshjen me Vetëvendosjen, Lekaj ka thënë se Visar Ymeri e ka ftuar Ramush Haradinajn për takim dhe shumë shpejt pritet të merret një vendim se si këto dy parti mund të bashkëpunojnë në të ardhmen “për të mbrojtur interesat e vendit”.