Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj ka mirëpritur vendimin e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës për mbajtjen e një debati për demarkacion me Malin e Zi më 3 gusht.
Ai përmes një komunikate ka vlerësuar se vendimi i sotëm ndonëse i vonuar, është më i miri i kësaj mazhorance. Lexoni qëndrimin e plotë të Lekajt:
Vendimi i sotëm i Kryesisë së Kuvendit, që debati për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi të mbahet më 3 gusht është vendimi më i mirë i kësaj mazhorancë në raport me temën e cila është kontestuar me të drejtë që sa kohë nga opozita, profesionistë të shumtë e qytetarë jo vetëm të Pejës por të mbarë Kosovës.
Ky vendim edhe pse i vonuar do të jetë mundësia më e mirë që të binden të gjithë ata që po e mbrojnë ketë formë të demarkacionit me Malin e Zi, e cila i falë mbi 8 mijë hektarë tokë të Kosovës, se kjo marrëveshje është e dëmshme dhe prek integritetin territorial të vendit.
I falenderojmë të gjithë deputetët, padallim partie, që kanë insistuar vazhdimisht në organizimin e një debati të tillë, dhe poashtu ju bëjmë thirrje edhe kolegëve të tjerë deputetë që t’i thërrasin arsyes së shëndosh dhe të mbrojnë atë çka është interes madhor i vendit, siç është territori.
Ne do të vazhdojmë të jemi konsistent mbi argumentet tona të qendrueshme se nuk kemi territor për t’i falur askujt.