Lajme

Lekaj: AAK e gatshme për protesta

By FerizajPress

August 06, 2016

Pal Lekaj, shef i Grupit Parlamentar të AAK-së, thotë se janë të gatshëm të organizojnë protesta për të mos lejuar miratimin në Kuvend të Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka protestuar më herët kundër demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe është e gatshme edhe për organizimin e protestave të reja.

Mirëpo, është në dorën e Qeverisë nëse ka gatishmërinë që ta sakrifikojë Kosovën për ta mbrojtur komisionin e tyre, i cili në tryezën e fundit u pa se i ka falsifikuar të dhënat. Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” shefi i deputetëve të AAK-së, Pal Lekaj, duke shtuar se nuk e kanë përkrahur protestën e së enjtes të “Vetëvendosjes” pasi, siç thotë ai, ka qenë e pakoordinuar nga të gjitha partitë e opozitës dhe shoqërisë civile.

Lekaj tregon se pse AAK nuk i është bashkëngjitur sot Lëvizjes “Vetëvendosje” në protestën për demarkacion.

“Konsiderojmë se tani për tani nuk është momenti të organizohen protesta, sidomos jo pa u koordinuar nga të gjitha partitë e opozitës, njerëzve të shoqërisë civile dhe intelektualë të tjerë…”, tha Lekaj.