Kultura-Arti

Lebibe Topalli-Shabani, me ekspozitë në Gjenevë

By FerizajPress

December 30, 2017

Më 18 janar 2018 artistja nga Ferizaj, Lebibe Topalli-Shabani hap në galerinë e njohur të Gjenevës “Cité du Temps” ekspozitën e saj personale të titulluar “The time” – “Le temps” (Koha). Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 28 shkurt 2018.

Ekspozita përbëhet nga tri tërësi: “The time”, “Don`t Stop My Time” & “Non-Stop”. Emërtimi “The time” i ekspozitës lidhet me një arsye të fortë, pasi që është koha ajo që kalon të gjitha dhe mbijeton përgjithmonë, shkruan albinfo.ch. Është koha ajo e cila ndjek besnikërinë e njeriut duke shkaktuar përherë paradokse. Dhe është zemra jonë sinonimi i tiktakut që mat kohën.

Është evidente se secila pikturë e kësaj ekspozite tregon akrepat e orës, të cilët krijojnë qarkun e tyre përcaktues. Në shumicën e këtyre krijimeve artistike shpërfaqet optimizmi përmes ngjyrave të ngrohta dhe të buta, përveç te kapitulli “Don`t stop my time”, pikturat e të cilit si laitmotiv kanë ndërgjegjësimin e njerëzve.

Lebibe Topalli Shabani është e lindur në Ferizaj në vitin 1981. Ajo ka mbaruar studimet për arte pamore në Universitetin e Tetovës ndërsa masterin në arte e ka bërë në Universitetin e Prishtinës. Aktualisht punon si mësimdhënëse në Shkollën e Mesme të Arteve “Çesk Zadeja” në Ferizaj.

Qendra Kulturore e Kosovës në Cyrih do të ndihmojë në pjesën organizative të ekspozitës si ofrimi i koktejit të verërave nga Kosova dhe i muzikës instrumentale në hapje.

Ekspozita hapet më 18 janar 2018 me fillim në orën 18.30, në galerinë “Cité du Temps” në Gjenevë