Lajme

Le Pen, shpresë nga Trumpi: Sinjal kundër globalizimit

By FerizajPress

November 15, 2016

Udhëheqësja e Frontit Nacional në Francë, Marine Le Pen është e bindur se triumfi i miliarderit jokonformist tregon që njerëzit po e marrin në duart e veta të ardhmen e tyre, duke lënë kështu të kuptohet se edhe votuesit francezë munden fare mirë të bëjnë të njëjtën gjë.

Drejtuesja e partisë së ekstremit të djathtë, që pritet të jetë në krye të garës presidenciale të Francës në vitin 2017, thotë në një intervistë për CNN-in se fitorja e Trumpit rrit edhe mundësinë e saj për t’u votuar masivisht, pasi i bën francezët të kuptojnë se njerëzit mund ta arrijnë atë që dëshirojnë nëse mobilizohen vërtet.

“Donald Trump bëri të mundur atë që deri vonë paraqitej si krejtësisht e pamundur. Kështu që ky është një sinjal shprese për ata që nuk e durojnë dot globalizimin e egër; ata që nuk durojnë dot jetën politike të drejtuar nga elitat. Kjo fitore dërrmon gjithashtu argumentin e izolimit, të përdorur aq shumë nga kundërshtarët e mi. Ata thonë ‘Politikat që ndjek ti Marine Le Pen të kanë izoluar’. Por unë ndihem më pak e izoluar sot, për shkak të botës shumëpolare të mbrojtur nga Donald Trump, por edhe nga Theresa May dhe Vladimir Putin”, tha Marine Le Pen, udhëheqëse e Frontit Nacional.

Njerëzit që duhet të ndihen të izoluar tani, pas ndryshimeve politike të sjella nga fitorja e Trumpit dhe vota për largimin e Britanisë nga Bashkimi Europian, janë – sipas Le Penit, – Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe shefi i Elizesë, François Hollande.

48-vjeçarja e drejton që prej vitit 2011 Frontin Nacional të themeluar prej babait të saj dhe, përgjatë të gjithë kësaj kohe, është përpjekur ta pastrojë emrin e partisë nga reputacioni i racizmit dhe ksenofobisë, duke u shkëputur prej tyre e duke u fokusuar tek euroskepticizmi dhe antiemigracioni.

.