Lajme

LDK-ja bojkoton seancën, kërkon që Kuvendi të debatojë kundër ndryshimit të kufijve

By FerizajPress

September 13, 2018

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se kjo parti nuk do të marrë pjesë në seancë të rregullt të Kuvendit, pa u mbajtur ajo e jashtëzakonshmja kundër temës së kufijve në Bruksel.

Hoti ka ftuar edhe deputetët e tjerë t’i bashkohen LDK-së.

“Opozita ka kërkuar seancë të jashtëzakonshme para dy javësh me qëllim të vetëm që çështja e kufirit të mos bisedohet në dialogun me Serbinë. Veprimet e presidentit janë kundërkushtetuese. Të kthehemi në seancë të jashtëzakonshme. Nuk është në rregull që të mbahet seancë tjetër pa u kryer seanca e jashtëzakonshme. Ju keni kërkuar që të sigurojmë 61 nënshkrime, kjo është kundërkushtetuese, krejt çka duhet të bëjë opozita është mbledhja e 40 nënshkrimeve”, tha Hoti.

Ai theksoi se vetëm pas mbajtjes së seancës së jashtëzakonshme, u kthehen seancave të rregullta në Kuvend.

“Me këtë formë të veprimit ju e keni bllokuar mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme. Ne nuk do të marrim pjesë në seancë pa u kryer e jashtëzakonshmja, ftojmë deputetët të na bashkohen, pas mbajtjes së shqyrtimit të rezolutës t’i kthehemi punës normale”, përfundoi ai.