Ferizaj.18.09.2018. Dega e LDK-së në Ferizaj, përmes një deklarate ka bërë thirrje qeverisë komunale që të anulojë vendimin për shtyrjen e ekskursioneve të maturantëve për në pranverë. Në këtë deklaratë thuhet se ekskursionet janë e drejtë legjitime e nxënësve dhe e paraparë edhe me planprogramet mësimore të Republikës së Kosovës. Në aspektin mësimor dhe material, ekskursionet duhet të realizohen tash, ashtu siç kanë vepruar të gjitha komunat tjera të Kosovës, pasi në pranverë nxënësit kanë mbrëmjet e maturës dhe duhet të përgatiten për Testin e Maturës, thuhet në deklaratën e LDK-së, dega në Ferizaj.
Deklarata e plotë e LDK-së, dega në Ferizaj.
Pushteti i Agim Aliut, me vendim të imponuar përmes këshillit të prindërve, pa asnjë paralajmërim paraprak, maturantët ferizajas i ka privuar nga e drejta e ekskursionit në Shqipëri. Ai, madje, nuk ka bërë publike as shkakun e as motivin që e ka shtyrë ta marrë këtë vendim. Për LDK-në e Ferizajt dhe për komisionin e saj për arsim, ky vendim është i padrejtë. LDK përkrah kërkesat e maturantëve për ekskursion, si e drejtë e tyre legjitime, e paraparë edhe me planprogramet mësimore të Republikës së Kosovës. Pushteti komunal i Ferizajt po i sanksionon maturantët e vet, derisa të gjithë maturantët e Kosovës tashmë po e shijojnë ekskursionin. Paradoksi bëhet edhe më i madh, kur nxënësve u thuhet se ekskursioni do të realizohet në pranverë, gjë që nuk duhet besuar, sepse nuk ka ndonjë arsye për një vendim të tillë. Në pranverë (në gjysmëvjetorin e dytë) nxënësit duhet të përgatiten për testin e maturës, por edhe për mbrëmjet e maturës, prandaj kostoja do të jetë shumë më e lartë nëse në këtë kohë realizohen edhe ekskursionet. Në aspektin mësimor dhe material, ekskursionet duhet të realizohen tash, ashtu siç kanë vepruar të gjitha komunat tjera të Kosovës. Madje edhe shtetet e BE-së ekskursionet e maturantëve i realizojnë në muajin e parë të vitit shkollor. Praktikat e vendeve të zhvilluara duhet ndjekur, por Ferizaj po bën përjashtim dhe për fat të keq jo vetëm në këtë lëmë. LDK bën thirrje për anulimin e këtij vendimi, në të mirë të maturantëve ferizajas dhe për të mirën e autonomisë së shkollave të mesme, së paku në këtë çështje.