Editorial

Lashtësia e fshatit Greme

By FerizajPress

October 10, 2019

        Gremja njëri ndër fshatrat metë mëdhenj në komunën e Ferizajt,  ka afërsisht mbi 700 shtëpi dhe diku rreth 10.000 banorë. Por ajo që na duhet të trajtojmë për këtë fshat është përshkrimi që  bëhet lashtësisë së saj, e cila na shpien në periudha të  hershme  historike.  Gremja  është vendbanim i hershëm, kjo dëshmohet  edhe nga gërmimet e arkeologjike të bëra në  vitet e pas luftës, ku u dolën në pah një numër i madh i qeramikës që dëshmonin kulturën materiale dhe lashtësinë e kësaj treve nga  periudha antike e tutje. Këtu do të kisha veçuar disa nga vendbanimet e vjetra siç janë: Gradisha, më pas  lagjen e Hashaneve, ka ekzistuar një kishë e hershme që edhe sot e kësaj dite gjenden fondamentet e themeleve të saj. Për herë të parë përmendet në një dokument të shkruar pikërisht në shekullin XIII përkatësisht në vitin 1282, duke përshkruar si një vendbanim që përfshinte disa lagje të këtij fshati.

Gjurmët e kishës paleokristiane

          Duke u mbështetur në gjurmët e rrënojave dhe themeleve që u vërejtën në këtë lokalitet mund të thuhet se kemi të bëjmë me një objekt kulti të periudhës paleokristiane të shekujve V-VII. Muret, gjegjësisht themelet, janë të përbëra nga gurët gjysmë të punuara dhe të lidhura me llaç të cilësisë së mirë. Matjet paraprake rezultojnë një objekt me një shtrirje 16 metra lindje-perëndim dhe 12 m veri-jug. Gurët janë të përmasave të ndryshme: 25×40 cm, 20×50 cm, 30×65 cm etj. Areali ku shtrihet ky objekt gjendet në një lug të veshur jashtëzakonisht dendur me vegjetacion. Duke u mbështetur nga konfiguracioni i terrenit dhe shtrirja e objektit, mund të dallohen pjesërisht format e absidës me diametër rreth 3.70 m. Në hapësirën përreth objektit ka edhe gjurmë të gurit të shtufit dhe fragmente të tjegullave me gjerësi: 2, 2.5, 3.5, 4 cm.

Pamje nga lokaliteti i njohur me ermin Gradina, ku janë gjetur gjurmët e Kishës dhe Kalaja

Lokaliteti i quajtur  Arat e Epërta në Greme

     Gjenden  në  hapësirën  që  përfshin  hapësirën verilindore të xhamisë së fshatit. Aty janë zbuluar  një  sasi e tjegullave kryesisht gjatë punimeve të tokave që gjenden ne areali arkeologjik ku është  gjetur një numër  tjegullash të cilat ishin të periudhës  romake. Njëra nga tjegullat e gjetura në këtë hapësirë arkeologjike i është dhuruar Muzeut të Ferizajt, nga ana e banorëve  ajo tjegull ka një përmase prej 24x40x4 cm  dhe paraqet njëkohësisht teknikën e avancuar  me të cilën ishte përhapur në këtë trevë mënyra e punimit të tjegullave përgjatë.

Tjegull e periudhës romake, ruhet në Muzeun e Ferizajt.

Ilir Bytyçi- Zyrtar për Trashëgimi dhe Muze