Ferizaj

Largohen afro 160 tonelata mbeturina në Nerodime dhe zona tjera të qytetit

By FerizajPress

September 06, 2018

 

Vendosmëria e Kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu për t’i garantuar qytetarëve një mjedis të pastër po jetësohet çdo ditë përmes Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Emergjencë dhe aksioneve të Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastërtia”.

Ditët e fundit, një aksion i gjerë pastrimi është zhvilluar përgjatë gjithë zonës së quajtur “Bashkimi i dy lumenjve” në Nerodime, tek Parku i Lirisë, tek varrezat ortodokse në Ferizaj, tek ujësjellësi në fshatin Pleshinë, tek kompleksi banesor prapa Stacionit të Policisë së Kosovës, si dhe në rrugën “Norë Kelmendi” në qytet.

Ekipet e KRM “Pastërtia” kanë arritur që të largojnë afro 160 tonelata mbeturina, të shndërruara në deponi ilegale përgjatë këtyre zonave.

Vendosmëria e qeverisjes lokale për një ambient të pastër dhe mirëmbajtja ditore e qytetit dhe fshatrave me kapacitete të shtuara nga kompania përkatëse për grumbullimin e mbeturinave është dëshmi se si kurrë më parë, territori i Ferizajt po pastrohet gjerësisht, duke depërtuar edhe në zonat më të thella rurale.

Shumë nga këto deponi ilegale të eliminuara nga KRM “Pastërtia” kanë qenë të raportuara nga banorët e zonës përmes platformës ndreqe.com e të cilat menjëherë janë marr parasysh nga autoritetet kompetente.

Komuna e Ferizajt bën apel tek të gjithë qytetarët që të mbrojnë mjedisin si dhe të denoncojnë rastet kur hasin në ndotës të mjedisit.