Ferizaj

Lancohet projekti për grantet e fillimit të biznesit për të papunët

By FerizajPress

July 17, 2017

Në qendrën rajonale për punësim në Ferizaj është mbajtur sot një sesion informues dhe është lancuar programi për grantet e fillimit të biznesit nga të papunët me titullin “Ndërmarrësit e rinjë fillojnë biznesin”.

Në prezantimin e këtij projekti mori pjesë edhe numri një i qytetit të Ferizajt Muharrem Svarqa, së bashku me kryesuesin e Kuvendit Faruk Gurin, drejtorin e Infrastrukturës Gafurr Ilazin, dhe përfaqësuesit e organizatës GIZ nga Gjermania.

Me këtë rast kryetari i komunës së Ferizajt Muharrem Svarqa duke e vlerësuar këtë projekt si shumë të rëndësishëm ka thënë se Ferizaj ofron të gjitha parakushtet për zhvillimin e bizneseve ngase ndodhet në një pozitë të përshtatshme gjeografike në këtë rajon.

“Ne do të rrisim përpjekjet për vetiniciative në mënyrë që të gjithë njerëzit që kemi afër e që kanë ide të reja të mund të përfitojnë . Komuna e Ferizajt me GIZ-in gjerman ka një bashkëpunim të shkëlqyeshëm dhe nga ai bashkëpunim janë dhënë edhe rezultatet e jashtëzakonshme në realizimin e edhe të misioneve tona edhe të programeve qeverisëse të Republikës së Kosovës. Ju e dini që ndër problemet më të mëdha që rëndon shoqërinë tonë por në përgjithësi edhe Kosovën është papunësia. Ne në Komunën e Ferizaj nga 110 mijë banorë, kemi një fuqi punëtore të jashtëzakonshme. Ne këtë aspekt kemi bërë hapa të rëndësishëm duke krijuar mundësi të përshpejtimit dhe rritjes së bizneseve të reja të cilat në komunën e Ferizajt për çdo ditë presin për t’u hapur. Sot komuna e Ferizajt renditet ndër komunat më të fuqishme me një kapacitet të madh biznesesh më shumë se 11 mijë të regjistruara ,është shndërruar në faktor të rëndësishëm i zhvillimit ekonomik dhe kjo falë krijimit të kushteve të mira për të bërë biznes” tha në këtë takim kryetari Svarqa duke uruar që ky projekt të nis mbarë.

Në takimin e sotëm informacione të detajuara për të papunët dhe trajnimet që ofrohen për ta kanë dhënë edhe udhëheqësi i qendrës rajonale për punësim Naim Gashi si dhe Fatmire Salihu nga Qendra për Aftësime Profesionale të cilët e vlerësuan këtë projekt si mundësi mjaft të rëndësishme për ndërmarrësit e rinjë.

Ndërkaq Vjosa Mullatahiri nga GIZ-i gjerman tha se qëllimi kryesor i këtij programi është që përmes trajnimeve të ndërrmarrësisë të inkurajohen të rinjtë në mbarë Kosovën që të zhvillojnë idetë e bizneseve të tyre, dhe përmes mbështetjes me grante të ofrohet mundësi për fillimin e biznesit dhe të vetëpunësimit të tyre.

U bë e ditur se programi do të ofrojë trajnime praktike për 160 punëkërkues të rinjë nga e gjithë Kosova të cilët duhet ta zhvillojnë edhe planin e biznesit si dhe do të ndjekin trajnimet e nevojshme.

Programi i trajnimit “Ndërmarrësit e rinjë fillojnë biznesin” do të realizohet në tri faza gjatë të cilave duhet të tregohet një përkushtim i lartë nga të interesuarit për të qenë përfitues i këtij programi.