Editorial

LAMTUMIRË PROF. ISA BAJÇINCA!

By FerizajPress

December 29, 2016

NË KUJTIM TË NJËVJETORIT TË AMSHIMIT TË PROF. ISA BAJÇNICËS, MË 29 DHEJTOR 2015

LAMTUMIRË PROF. ISA BAJÇINCA!

Erdha në Prishtinë të përshëndetem me Ty për here të fundit. Të përshëndetem dhe të falënderohem për përkushtimin tuaj shkencor në fushën e filologjisë shqiptare. Erdha të përulem për mësimin e dhënë në profilizimin tim shkencor gjuhësor. Dhe, jo vetëm si student, por edhe si profesor ishe prapë me mua. Ishe ndër të rrallët, që më dhe përkrahje morale e shkencore. Ti ishe prej miqve të rrallë, që një pjesë të punës tuaj e ndaje përgjysmë me mua, se e dije që jam i papunë dhe ndiheshe keq, kur më pyesje: -Si është muhaxheri? -A as ky nuk të bëri zgjidhje a? (E kishte fjalën për kryetarin e tanishëm të Ferizajt, Muharrem Svarçën). Ende pa iu përgjigjur e kuptonte me keqardhje përgjigjen… – Jo, profesor, as ky as ai, asnjëri! E tundte kokën në heshtje…

Duke ndjerë keqardhje, e ndërronim muhabetin dhe kalonim në bashkëbisedim tjetër, kryesisht për çështje gjuhësore, letrare e në përgjithësi kulturore.

Për ta kuptuar, se profesor Isa e kishte dhembjen me të vërtetë, e jo sa për sy e faqe, është fakti, se punët që i merrte për vete i ndante me mua, duke m’i dërguar për lekturim. Më thoshte: -Ramadan, për 5 ditë i ke këto faqe për t’i lekturuar. E dinte që jam i papunë dhe nuk më pyeste fare a kam kohë dhe a jam mirë me shëndet. Nuk më pyeste as për çmimin… Ishin shkrime të fushës juridike, të vështira sa i përket terminologjisë. Më paguante më shumë se ç’duhej… – Prof. janë shumë! – A ti po më tregon mua, se sa duhet të paguhet lektura a? Ma mbyllte gojën!

Pasi m’i dërgonte, bashkëbisedoja vet me vete. -Po, pse ky m’i dërgon mua shkrimet për lekturim? – A pak ka në Prishitnë a? Një ditë e pyeta për këtë gjë. Ai më tha: -Nga tre vetë që bashkëpunoj, ti je më i miri! Më dukej një përkrahje e madhe, si dhe një vlerësim i sërishëm, që prof. Isa ende i mban mend studentët që i ka pasur. Dhe, të fitonte besim prof. Isa në mua për çështje lekturimi, nuk ishte gjë e vogël, sepse sipas meje ishte gjuhëtari e veçmas sintaksologu më i mirë në trojet shqiptare, pa marrë parasysh, që nuk kishte gradë akademike. Ai i kapërcente shumë kolegët e tij në çështje problemore gjuhësore.

Duke përfunduar shkurtimisht kujtimin për të, në shenjë respekti e falënderimi, që sot t’i uroja ndërrimin e moteve, po e bëj një shkrim përkujtimor për njeriun, profesorin, studiuesin, bamirësin, që ndërroi jetë dhe që me mua shpesh e ndante edhe punën e tij…

Prandaj, sot e kujtoj me dhembje të thellë, duke më mbetur referencë për tërë jetën. Ai do të jetojë me mua përherë, edhe pse jam i vetëdijshëm, se kur shkoj në Prishtinë nuk e takoj më për kafe a çaj dhe nuk ka kush të më pyet, se si është muhaxheri… dhe as të më dërgojë faqe për lekturim…

Ferizaj, më 28 dhjetor 2016