Ferizaj

Ky është qëndrimi zyrtar i komunës së Ferizajt dhe kryetarit Aliu lidhur me protestat e përfituesve të banesave solidare (Video)

By FerizajPress

February 10, 2018

Ferizaj.10.02.2018. Pas një proteste që përfituesit e banesave solidare të komunës zhvilluan para disa dite dhe pas një deklarate publike që kryetari i komunës Agim Aliu pati për këtë çështje, ka reaguar edhe dega e LDK-së në Ferizaj. Imri Hashani, ish-kryetar i komisionit për dhënien e këtyre banesave, ka ripërsëritur faktin në një takim me gazetarë, se ky komision ka përfunduar punën e vet dhe përfituesit e zgjedhur të këtyre banesave i plotësojnë të gjitha kriteret. Prandaj, Hashani duke fajësuar Ministrinë e Planifikimit Hapësinor që është vonuar me përgjigjen e legjitimitetit të këtij vendimi, bëri thirrje tek kryetari i komunës që kësaj çështje t’i jap më shumë prioritet.

Për këtë është prononcuar edhe i pari i Ferizajt, Agim Aliu, i cili ka thënë se është e pandershme dhe jonjerëzore që këta qytetarë të manipulohen për qëllime politike, në këtë rast përfituesit e banesave solidare të cilët të drejtën e tyre duhet ta vërtetojnë para gjykatës kompetente.

“Është e pandershme dhe jonjerëzore të manipulohen për qëllime politike, personat në nevojë, në këtë rast përfituesit e banesave solidare të cilët të drejtën e tyre duhet ta vërtetojnë para gjykatës kompetente. Komuna e Ferizajt do të respektoj plotësisht vendimet e organeve të drejtësisë. Kjo çështje kërkon triumfin e ligjit dhe jo manipulimin politik” ka thënë Aliu