Ferizaj

Ky është njoftimi i QKMF-së për pacientët insulinë marrës

By FerizajPress

February 07, 2018

Ferizaj.07.02.2018 . Përmes një njoftimi menaxhmenti i QKMF-së në Ferizaj ka njoftuar të gjithë pacientët të cilët janë furnizuar më insulinë nga ky institucion shëndetësorë. Drejtori Asllan Bajrami përmes këtij njoftimi ka bërë të ditur se po merren të gjitha masat që janë në kompetencë të menaxhmetit të QKMF-së që sa më shpejt pacientët të furnizohen me insuline dhe barna tjera të domosdoshme të listës esenciale. Ky është njoftimi i plotë i QKMF-së

NJOFTIM PËR PACIENTËT INSULINËMARRËS

Pacientë të nderuar! Menaxhmenti aktual i QKMF – së, ndjen obligim që të ju njoftoj lidhur me mungesën e insulinës tash sa kohë, mungesë kjo e cila ju ka dëmtuar juve në radhë të parë, e së dyti edhe imazhin e institucionit tonë.Qendra jonë është vonuar për furnizimin normal sipas orarit të përcaktuar më herët nga Departamenti i Farmacisë pranë Ministrisë së Shëndetësisë, për arsyet që do t’i paraqesim në vijim: Sipas rekomandimeve të Departamentit të Farmacisë (në MSH) qendra jonë është dashur të bëj gjenerimin e planifikimit të gjashtëmujorit të parë, në përputhje me buxhetin e përcaktuar nga MSH, i cili është 240 000 € për vitin kalendarik 2018, gjysma e të cilit (120 000 €) i takon gjashtëmujorit të parë. Planifikimi i bërë nga personat përgjegjës të Sektorit të Farmacisë (QKMF) në bashkëpunim me ushtruesen e detyrës së drejtorit, u dorëzua më 18.12.2018 dhe në të janë përfshirë 12 artikuj prioritarë, në mesin e të cilëve ishte edhe insulina. Mirëpo, ky planifikim nuk është pranuar në Ministrinë e Shëndetësisë për shkak të numrit të vogël të artikujve të përfshirë dhe për këtë arsye është kërkuar një planifikim i dytë, i cili është bërë nga i njëjti ekip, përgjegjësit e Sektorit të Farmacisë dhe ushtruesja e detyrës së drejtorit. Edhe planifikimi i dytë është refuzuar, kjo për shkak të lëshimeve të bëra në shumën totale e cila e ka tejkaluar vlerën e buxhetit të caktuar për gjashtëmujorin e parë, kjo shumë në vend se të jetë 120 000 € sa është buxheti i caktuar për një gjashtëmujor, ka arritur vlerën afër 11 milion euro (10 990 001 €) dhe si e tillë është dashur të refuzohet. Së fundi, është përgatitur edhe planifikimi i tretë që është dorëzuar dje, më 06.02.2018 bashkë me një kërkesë drejtuar zyrtarëve të Departamentit të Farmacisë në Ministrinë e Shëndetësisë, për të ndihmuar në sanimin e problemeve teknike dhe krijimin e mundësive të gjenerimit të planifikimit për gjashtëmujorin e parë, për furnizim me barna dhe material harxhues mjekësor nga ana e QKMF – së. Unë po shpresoj shumë në mirëkuptimin e personelit të Departamentit të Farmacisë, në MSH, dhe përpjekjet e tyre që të gjenden mënyrat e duhura për përshpejtimin e procedurave tekniko-administrative në mënyrë që sa më parë të arrijnë barnat dhe materiali mjekësor, që t’i përmbushim nevojat tuaja.

Me respekt, drejtori i QKMF – së: Dr. Asllan Bajrami