Lajme

Ky është fëmija që u gjet në një kosh mbeturinash në Vlorë, 7 vjet më parë (Foto)

By FerizajPress

April 11, 2016

Leonard Xhemalaj po kërkonte për plastikë të hedhur në koshat e plehrave. Ai kishte bërë më shumë se katër kilometra prej shtëpisë së tij në Lagjen “Kushtrimi” deri diku pranë Ujit të Ftohtë në Vlorë, kur duart i hasën në diçka që nuk gjendet zakonisht në kazanët e mbetjeve.

“E di ku më gjeti babi mua?! Në kazanin e lozhit më gjeti” -thotë Isaleo. Kjo ndodhi 7 vjet më parë. Isaleo ishte gati i asfiksuar. Leonardi e mori me vete fëmijën. E ëma e tij u kujdes ta pastronte dhe zgjonte. Foshnja, që siç kujton 43-vjeçari, ishte më e vogël se një parakrah. E shoqja Zhuljeta dhe e ëma e pastruan dhe e zgjuan foshnjën. Më pas shkuan në urgjencë. Askush sa kujton familja nuk u kujtua të kërkonte denoncim apo të mësonte më shumë se sa ata kanë thënë. Xhemalajt vendosën ndoshta që në atë moment ta rrisnin vetë…

Është ora 5:30 e pasdites në lagjen “Kushtrimi” në periferi të Vlorës, ku jeton familja Xhemalaj. Këtu shtëpitë janë të vendosur ngjitur me njëra-tjetrën. Shumë prej tyre janë baraka të ndërtuara nxitimthi. Pamja thyhet tek-tuk nga ndonjë vilë dy ose trekatëshe, një kalim nga ekstremi në ekstrem.

Shtëpia e Xhemalajt ndodhet në anën e kanalit të ujërave të zeza që përshkruan të gjithë lagjen. Duhet të kalosh një urë të sajuar me dërrasa të vjetra dhe pjesë llamarinash për të shkuar deri aty. Kanali është i mbushur me gjithfarë mbeturinash: Plehra të djegura, rroba të vjetra, qese, bidonë, të cilat banorët e tjerë i kanë hedhur sikur aty të mos jetonte askush. Është një lagje pa infrastukturë, pa ndriçim. Era e ujërave të zeza dhe e plehrave ta bëjnë më të vështirë frymëmarrjen.

Derën e hapin 3 fëmijë: 1 vajzë dhe 2 djem. Më i vogli duket se është djali që kanë gjetur pasi ngjyra e lëkurës e dallon qartë nga dy fëmijët e tjerë, ai nuk i përket komunitetit rom, sikurse familja që e ka gjetur. Një grua rreth të dyzetave me trup të mbushur del pas fëmijëve. E veshur tipike me veshje të komunitetit rom, buzëqesh duke u përpjekur të tregohet miqësore. “Kë kërkoni?” -pyet miqësisht. Si janë shkëmbyer formalitetet, ajo thërret Leonardin.

“E gjeta në një kazan mbeturinash afër shkollës së Marinës, ishte i mbuluar i gjithi nga plehrat, ja kaq i vogël ishte” -më thotë Leonardi duke më treguar parakrahun e vet. “Dukej që sa e kishin lindur dhe e kishin hedhur në plehra, ishte fati i tij që e gjetëm” -vazhdon Zhuljeta. “E mora në shtëpi, nëna ime e lau dhe e solli në vete sepse ishte gati i asfiksuar nga era e plehrave, ndërsa emrin ja vendosëm Isaleo”- shton Leonardi.

Nëse i referohemi anës ligjore, braktisja e fëmijëve parashikohet si vepër penale në Kodin Penal, Seksioni IX, neni 124 “Braktisja e fëmijëve të mitur”. Me anë të këtij neni, parashikohet se braktisja e fëmijeve nën 14 vjeç nga prindi ose nga personi që e ka fëmijën nën kujdestari dënohet me gjobë ose me burgim deri në 3 vjet.

Kur braktisja ka rezultuar me dëmtim të rëndë të shëndetit, ose vdekje, sanksioni është dënim me burg nga 3 deri ne 10 vjet. Edhe pse ligji ekziston, nëse Isaleo do të kishte vdekur, me gjasë askush nuk do të dënohej, madje askush nuk do të mund të bëhej përgjegjës për vdekjen e tij.

“Djali e di, si nuk e di, ia kemi treguar vetë ne” -më thotë Zhuljeta, duke përkedhelur kokën e Isaleos që rri i fshehur pas saj. Kanë preferuar që të jenë ata të cilët do t’i tregojnë për këtë gjë përpara se dikush tjetër ta bëjë duke u tallur ose për t’u hakmarrë