Ferizaj, ditë e më shumë po merr edhe një epitet të ri, si qytet i muraleve. E gjithë kjo falë punës së palodhshme të piktores ferizajase, Lebibe Topalli.
Me gjithë këto murale, sa herë është diskutuar për muralin ikonë, me të cilin për vite të tëra është identifikuar qyteti i Ferizajt, murali i Kamarierit.
Për këtë kishte shumë opcione, teori e çka jo?
Më në fund, vet piktorja Lebibe Topalli ka bërë të ditur se është gjetur piktori që kishte bërë këtë pikturë.
Ky është njoftimi që ka shpërndarë piktorja Lebibe Topalli për autorin e muralit të Kamarierit, piktorin Shukri Krasniqi.
Ka vite që kemi kërkuar të dimë më shumë për autorin e atë që ka punuar muralin e Kamarierit në Hotelin Lybeteni në Ferizaj. Kemi marrur informacione të ndryshme, por që nga tregimet nuk na dukej e besueshme. Para disa ditëve morëm informacione që Shukri Krasniqi ka qenë autori, prandaj e ftuam në Ferizaj të diskutojmë më gjerë.
Ai na tregoi gjithë historinë, që nga procesi i dizajnimit, punimi e ndodhitë më pas. Murali është punuar më 1961, ku kompania e kontraktuar për ndërtimin e hotelit kanë qenë maqedonë, ku edhe mbikqyrësja ka qenë arkitekte maqedone. Ata kanë kontaktuar Z.Krasniqin për të diskutuar për muralin dhe fillimisht plani kishte qenë që të pikturohej me tavolina e karrike, por ai e thjeshtoi dhe e ristrukturoi atë dhe madje e pikturoi atë kuq e zi. Skicën e punoi brenda 6 ditëve, e pastaj edhe 6 ditë të tjera punoi për ta pikturuar. Meqenëse ishte kuq e zi, me të mbaruar punën aty, policia e intervistoi e më pas edhe e përndoqën. Duke ndjerë rrezikun, z.Krasniqi nuk donte të bënte më me muralin e të rrezikohej më tutje.
Nga modestia ai nuk ka dashur ta bëjë publike deri tash, por rastësisht në një koment nga z. Adem Cerkini hasëm në emrin e z.Krasniqit prej ku edhe na ndihmoi të sigurojmë kontaktin e autorit. Ne e vlerësojmë shumë lartë punën e tij dhe jemi shumë të lumtur që më në fund kemi mësuar më shumë për punimin e muralit të Kamarierit.
Z. Shukri Krasniqi ka lindur 1937 në Prishtinë, dhe ka mbaruar shkollimin profesional për Dizajn Industrial në Zagreb, por që gjithmonë ka eksploruar fusha të ndryshme të artit.06 Maj 2023, Ferizaj