Ferizaj

KVF “Ferizaj” inkuadrohet në elitën e volejbollit Kosovarë në konkurrencën e femrave

By FerizajPress

April 02, 2016

Sot KVF “Ferizaj” edhe zyrtarisht është inkuadruar në Super Ligën e Kosovës në volejboll.

Vashat e KVF Ferizaj sot zhvilluan takimin e fundit në Ligën e Parë. KVF “Ferizaj” arriti që me rezultat 3:2 të shënojë fitore ndaj Akademia “Drita” nga Gjilani. Rezultati nuk ishte edhe shumë me rëndësi pasi volejbollistet e Ferizajt që para dy xhirove e kishin siguruar inkuadrimin në Super Ligë.

Për këtë arsye edhe rezultati ishte mjaft i ngushtë sepse në radhët e Ferizajt u inkuadruan edhe lojtaret e reja të cilat në të ardhmen pritem të jenë bartëset kryesore të lojës.

Në këtë takim kapitenia e Ferizajaseve Albulena Ejupi pranoi edhe Kupën e cila shënon fillimin e një epoke të re për të zhvilluar gara në elitën e volejbollit Kosovar.

KVF “Ferizaj” ekip ky i cili u themelua para dy viteve po arrin suksese të mëdha. Pos ekipit të parë ky klub në gjirin e vetë ka edhe shkollën e volejbollit ku janë të përfshirë edhe grup moshat e reja.