Ferizaj

Kuvendi i Komunës merr vendim për shfrytëzimin e pronës së palujtëshme të komunës

By FerizajPress

May 31, 2019

Këtë të premte është mbajtur mbledhja e pestë e këtij viti e Kuvendit të Komunës. Në këtë mbledhje Kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Kristina Gashi-Bytyçi, ka prezentuar edhe pikat e rendit të ditës që ishin përgatitur për seancën e sotme.

Në këtë mbledhje me shumicë votash Kuvendi i Komunës ka marrë vendim për këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës në këmbim të personit fizik. Në arsyetimin e tij drejtori i Pronës, Gjeodezisë dhe Kadastrit Sabri Murseli ka thënë se këmbimi i kësaj prone të paluajtshme është bërë pasi që nuk ekzistojnë parcela të tjera të përshtatshme komunale për realizmin e projektit infrastrukturore zgjerimin dhe asfaltimin e rrugës “Cen Dugolli” në Ferizaj dhe se kjo ka për qëllim interesin publik të komunës.

“Prona e paluajtshme komunale që do të këmbehet dhe që është e përshkruar në pikën e II të këtij vendim do të evidentohet në librat kadastral të komunës dhe do të regjistrohet në emër të këmbyesit me të gjitha të drejtat që i gëzon komuna”, ka thënë drejtori Murseli, dhënia e kësaj prone u dha në bazë të Ligjit Nr.06/L-092 për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës, neni 14 i tij.

Pavarësisht vërejtjeve të opozitës, kjo pikë e rendit të ditës kaloi me shumicën e votave të Partisë Demokratike të Kosovës.

Në këtë mbledhje u diskutua poashtu edhe për propozim vendimin për destinimin e pjesës kadastrale 1749-1 në zonën kadastrale në Ferizaj pjesë kjo ku ka qenë i vendosur objekti i çerdhes së vjetër, ngastër kjo e cila do të jepet në shfrytëzim ndërmarrjes publike lokale “Ambienti” Sh.A në Ferizaj, për një afat një vjeçar për parking publik të qytetit.

Sipas drejtorit Sabri Murseli, kjo është kërkesë e Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Emergjencave dhe ndërmarrjes publike lokale “Ambienti” Sh.A në Ferizaj, që kjo hapësire të shfrytëzohet për parking publik.

Por, kjo pikë ngjalli më së shumti debat në këtë mbledhje. Balton Dërguti, këshilltar komunal nga radhët e LDK-së tha se ajo hapësire më mirë është të shfrytëzohet si park se sa si parking, për shkak të asaj se qyteti çdo ditë e më shumë po ngulfatet.

Edhe Enver Haliti nga Lëvizja Vetëvendosje ishte kundër që kjo hapsirë të jepet për parking.

Ndërkaq nënkryetari i komunës së Ferizajt Naim Ferati potencoi se ajo hapësirë e pashfrytëzuar duhet të funksionalizohet nga institucionet përgjegjëse.

“E dimë se në atë pjesë për një kohë të gjatë nuk ka pasur kujdes të duhur, prandaj është më mirë që të shndërrohet në parking të përkohshëm e të menaxhuar mirë. Është një zgjidhje e përkohshme dhe nuk ka ndonjë arsye që ta pengojmë procesin” tha nënkryetari Ferati.

Për mbledhjen e ardhshme u shtye edhe propozim vendimi për daljen në diskutim publik draft-rregullorja për varrezat, ofrimin e shërbimeve të varrimit si dhe rregullimin dhe mirëmbajtjen e tyre.

Në këtë mbledhje është diskutuar edhe propozimi i grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje për heqjen e emërtimit Urosevac si emër zyrtar për qytetin e Ferizajt.Në fund u vendos që kjo kërkesë të shkoj për tek organet qendrore të republikës së Kosovës dhe ata të jepen edhe verdiktin final lidhur me këtë emërtim.