Ferizaj

Kuvendi i Komunës së Ferizsjt miratoi Kornizën Afatmesme Buxhetore 2024-2026

By FerizajPress

June 27, 2023

Me shumicë votash këtë të martë është miratuar Korniza Afatmesme Buxhetore për vitin 2024-2026.

Para anëtarëve të Kuvendit të Komunës, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka thënë se Korniza Afatmesme Buxhetore është një dokument që i vë kornizat, kufijtë e synimeve të së ardhmes, përgatitjes së Ferizajt për vitet pasrendëse, në kuptimin e vijimit të transformimit e punëve publike që e presin. Ky atribut e bën të rëndësisë së veçantë, këtë dokument e këtë mbledhje të sotme.

“Ferizaj, tash e disa vite, ka marr primatin e kryeqendrës zhvillimore në gjithë Republikën. Ferizaj është sinonim i punëve publike cilësore, projekteve madhore, i guximit institucional për të bërë kapërcime të mëdha, rrënjosur thellë në një bindje, shprehur në dy fjalë, transformim e reformë. E themi pra krenarë, se jemi në zenitet e transformimit urban të Ferizajt, themeleve të fizionomisë së Ferizajt modern, të zhvilluar, e këtë e përmbushin plotësisht projektet e shumta që kemi ideuar, mbikëqyrur e zbatuar, si ato ekzistueset ashtu edhe projektet e reja. Është e pashtershme energjia jonë, që qytetit tonë, t’i japim idetë e projektet më të duhurat, më të vlefshmet, më cilësoret e më jetëgjatat.

Edhe Korniza Afatmesme Buxhetore 2024-2026 është produkt i debatit qytetarë, kërkesave e nevojave të ferizajasve, të cilat kundruar nga mundësitë që lejon planifikimi buxhetor, janë përfshirë në këtë dokument. Tani, më lejoni të nderuar anëtarë të Kuvendit të Komunës dhe të gjithë ju të pranishëm, që shkurtazi, të paraqes para jush, projeksionin tonë buxhetore, në kohështrirjen 2024-2026, për projektet për të cilat kemi investuar gjithë kapacitetin njerëzor, profesional e mbi të gjitha, me synimin që t’i mbeten për gjatë kohë si shpërblim të punës e besimit qytetarë, Ferizajt e ferizajasve”, është shprehur Kryetari Aliu.

Kryetari Aliu, është shprehur se në planifikimin buxhetor të Kornizës Afatmesme Buxhetore 2024-2026 për vitin 2023 në kategorinë e investimeve kapitale janë buxhetuar 12,114,664.00€ kurse për vitet pasuese 2024, 2025, 2026, janë planifikuar 12,250,000.00€, 12,670,941.20€, përkatësisht 13,217,045.93€ pa lënë anash faktin se për vitet pasuese, në kategorinë e investimeve kapitale planifikohet rritje pak mbi 1,1 milionë euro në bazë të parashikimeve në këtë drejtim.

“E gjelbërta, paraqet kryetemën e angazhimit të qeverisë sonë, andaj edhe ky projeksion nis me të, me orientimin tonë këmbëngulës, që Ferizajt në vitet pasrendëse, t’i ofrojmë masive të shumta të gjelbërta, projekte inovative të kujdesit ndaj ambientit e mbi të gjitha të instalojmë mendësinë e re, për të orientuar një përqindje të konsiderueshme të buxhetit komunal, në projekte të gjelbërta. Kjo, do të zbatohet përmes projekteve siç është projekti i zgjerimit dhe rregullimit të Parkut “Liria”, për t’u zhvilluar krahas saj edhe projekti i rregullimit dhe pyllëzimit të Kodrës së Sherretëve si dhe rregullimi i Parkut tek objekti aktual i Kompanisë “Pastërtia”, me të cilat Ferizaj bëhet me tri masive të jashtëzakonshme të gjelbërta, investim afatgjatë për shëndetin publik në radhë të parë e për kulturën tonë qeverisëse në vepra që i rezistojnë dekadave. Natyrisht, duke u pasuar me shtrirjen edhe më të gjerë të konceptit të miniparqeve, në qytet e fshatra, pa lënë anash edhe mbjelljen e drunjve dekorativ, luleve, rregullimin e hapësirave publike të gjelbërta, që paraqesin mision të përditshëm të administratës sonë të ngarkuar me këtë fushë.Në këtë pikëpamje, mbesim në stad të avancuar të përpjekjes e punës sonë për të rregulluar edhe një vepër tjetër madhore publike – atë të rregullimit të Tregut të Gjelbër”, ka thënë Aliu.

Kryetari Aliu ka thënë se fokus i qeverisjes mbeten projektet e infrastrukturës rrugore.

“Në fushën ku vërtet Ferizaj shquhet në gjithë Republikën, atë të infrastrukturës rrugore, fokusi i qeverisjes sonë mbetet në projektet identitare të qytetit tonë, në frymën e ndryshimit në çdo cep të këndvështrimit të Ferizajt, në vepra madhore që brezave të tashëm e të ardhshme, t’i shërbejnë. E tillë është vepra madhore infrastrukturore, ndërtimi i nënkalimit për vetura dhe këmbësorë tek Stacioni Policor në Ferizaj, për të vijuar me vazhdimin e punës sonë në arteriet rrugore të qendrës së qytetit, rrugën “Ahmet Kaçiku”, transformimi rrënjësor që i pret rrugët “Besim Rexhepi”, “Riza Matoshi”, “Zenel Hajdini” e përfundimi i investimeve në asfaltimin e rrugicave të qytetit. Po kaq të rëndësisë parësore, janë edhe projektet si ai për rikonstruktimin e rrugës “12 Qershori”, asfaltimi i rrugës “UÇK” pranë Kazermës së FSK-së, asfaltimi i rrugëve kryesore e anësore në fshatra si Gaçkë, Greme, Neredime e Epërme, Bablak, Tërrn, Prelez i Jerlive, Balaj, Zaskok, Sojevë, Dardani, Mirosalë, Mirash, Lloshkobare, Kosinë, Rakaj, Dremjak, Fshat i Vjetër, Bibaj, Nikadin e Pleshinë, për të vijuar edhe me projekte të shumta në shtrimin e trotuareve në qytet e fshatra, si dhe për të finalizuar rrjetin e ujësjellësit e kanalizimit zbatuar si projekte për ndërtimin e kolektorëve në disa nga fshatrat e Ferizajt. Punimet gjithashtu, do t’i vazhdojmë në projektet me rëndësi të veçantë si ai i Stacionit të Autobusëve dhe rregullimet në Kompleksin e Varrezave të Reja të Qytetit”, u shpreh Kryetari Aliu.

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka thënë se rëndësi e veçante ju ka kushtuar edhe sferës së arsimit ku do të ketë ndërtime të reja të shkollave, por edhe më shumë kopshte për fëmijë edhe në zonat rurale. Ai ka folur edhe për fushën e kulturës, rinisë dhe sportit, bujqësinë, shëndetësinë dhe mirëqenien sociale, por edhe për mbështetjen e bizneseve.

Tutje ka folur edhe për sferën e shërbimeve publike dhe emergjencave.

“Korniza Afatmesme Buxhetore 2024-2026, me projekte të shumta, është pikënisja buxhetore, për t’i dhënë Ferizajt mundësi më të shumta zhvillimi, ta mbaj të pandalur ritmin e transformimit urban e mbi të gjitha, ta bëj Ferizajn edhe më të zhvilluar, edhe më funksional, edhe më shërbyes, edhe më të bukur për dekadat që vijnë”, tha Aliu.Për Kornizën Afatmesme Buxhetore, ka folur të gjitha grupet parlamentare, disa e kanë lavdëruar këtë dokument, e disa të tjerë kanë pasur edhe ankesa për të.

Në këtë mbledhje me shumicë votash është aprovuar planin komunal për ri integrim të qëndrueshëm të personave të riatdhesuar dhe ri integrimin e të huajve në komunën e Ferizajt për vitin 2023-2025 si dhe është miratuar edhe Planit e integritetit 2023-2027. Poashtu në këtë mbledhje është diskutuar edhe propozim-vendimi për ndërtimin e institucionit parashkollor (çerdhes) në fshatin Dradani. Ndërtimi i kësaj çerdhe do të bëhet në parcelën kadastrale me nr. 1053-1Zk në Tankosiq me sipërfaqe 3000 metra katror.