Kuvendi i komunës së Ferizajt ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt me ç’ rast janë diskutuar çështje të rëndësishme. Me këtë rast Kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Ferizajt, Kristina Gashi-Bytyçi, ka mbajtur mbledhjen e dhjetë të Kuvendit të Komunës.
Në kuadër të rendit të ditës ishte caktuar edhe miratimi i Statutit të Muzeut të Kujtesës-institucion ky që do të themelohet pas pak muajsh në Ferizaj.
Fillimisht drejtoresha për Kulturë Rini dhe Sport ka shpjeguar nevojën e miratimit të këtij statuti i cili do të jetë pikë e rëndësishme për funksionalizimin e këtij muzeu.
Ndërkaq këshilltarët komunal e komentuan në mënyra të ndryshme këtë dokument i cili do t’i hap rrugë këtij institucioni kulturor dhe historik. Pati kërkesa edhe për shpjegime shtesë sa i përket anës financiare të themelimit të institucionit.Nga ana tjetër drejtoresha për Kulturë Rini dhe Sport Xhemile Murati- Shabani shpjegoi se janë marrë të gjitha udhëzimet edhe nga niveli qendrore dhe varësisht prej nevojave do të ndiqen hapat për funksionalizimin e Muzeut të kujtesës.
Gjatë punimeve të sotme në Kuvendin e Komunës së Ferizajt, janë marrë edhe disa vendime të tjera me rëndësi siç është ridestinimi i disa mjeteve financiare nga projekte të ndryshme, për nevoja të tjera të cilat kanë mbetur të paplotësuara, pastaj shpallja si interes i përgjithshëm i disa ngastrave kadastrale për nevoja të komunës.
Po ashtu u mor vendim që të hidhet në diskutim publik rregullorja për taksa , tarifa , ngarkesa dhe gjitha komunale të cilës i janë bërë disa ndryshime dhe është paraqitur raporti 9 mujor financiar i komunës së Ferizajt, sa i përket të hyrave dhe shpenzimeve të bëra për këtë periudhë kohore.Në mbledhjen e Kuvendit pati propozime nga ana e këshilltareve të grupit të LDK-së për të diskutuar edhe për gjendjen e jo të mirë të klubeve sportive e cila është aktuale, por nuk u dhanë votat e mjaftueshme që kjo çështje të hyjë si pike e veçantë e rendit të ditës.