Ferizaj

Kuvendi i Komunës së Ferizajt merr vendim për bashkëpunim me qytetin Cedar Falls në IOWA – SHBA

By FerizajPress

October 30, 2020

Kuvendi i Komunës së Ferizajt është mbledhur sot në mbledhjen e rregullt gjatë së cilës u shqyrtuan disa pika të rëndësishme dhe u morën vendime për to.

Pra dy muajsh, ky Kuvend pati marrë një vendim që i liron nga pagesa e tatimit në pronë banorët e Ferizajt që duan t’i regjistrojnë veturat e tyre , por nga Ministria e Financave është kërkuar anulimi i këtij vendimi.

Drejtorja e Financave, Sebahate Ajeti Sadiku deklaroi se ky vendim duhet të anulohet për arsye se në bazë të ligjit në fuqi, niveli lokal nuk ka të drejtë të marr vendime për heqje të kushtëzimeve. Kjo edhe sipas kërkesës së ministrisë përkatëse që ka kërkuar anulimin e këtij vendimi në seancën e Kuvendit.

Ndërkaq në mesin e këshilltarëve komunal nga pozita dhe opozita pati mendime të ndryshme rreth kërkesës për anulimin e këtij vendimi. Këshilltarët opozitar u ankuan se është e padrejtë që Ferizajt t’i kërkohet anulimi i këtij vendimi derisa Prishtinës i është lejuar një gjë e tillë kurse ata nga radhët e pozitës pohuan se vendimet e nivelit qendror duhet të respektohen dhe si të tilla janë obligative.

Gjatë punimeve të sotme të Kuvendit të Komunës së Ferizajt me shumicë votash u miratua propozimi vendimi për miratimin e Nismës për bashkëpunim ndërkomunal mes qytetit të Ferizajt dhe Cedar Falls (IOWA-Shtetet e Bashkuara të Amerikës). Po kështu, u miratua edhe Raportit Financiar Janar-Shtator 2020.

Drejtoresha e Financave me këtë rast shpjegoi se gjatë kësaj periudhe janë inkasuar gjithsej të hyra vetanake 2,608,184.89 euro e cila vlerë po të krahasohet me periudhën e vitit të kaluar ka një rënie prej 39.8% ndërsa krahasuar me planin janë realizuar 52%, kjo duke vlerësuar edhe gjendjen që ka shkaktuar pandemia në ekonomitë familjare dhe ato biznesore.

Gjatë kësaj mbledhjeje u miratua edhe propozim-vendimi për caktimin e normave tatimore për tatimin në pronën e paluajtshme për vitin 2021. Ndërsa u rishqyrtua edhe vendimi vpërmes së cilit është ndarë pjesa e paracelës me nr.181-13 Zona Kadastrale Ferizaj me sipërfaqe prej 35 metra katrorë për vendosjen e trafostacionit “TS Lagjja e Re”.