Ferizaj

Kuvendi i Komunës mbajti mbledhje të jashtëzakonshme

By FerizajPress

October 09, 2025

Kuvendi i Komunës së Ferizajt, i udhëhequr nga kryesuesi Xhavit Zariqi, gjatë ditës së sotme ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme për shqyrtimin dhe miratimin e propozim-vendimit për rritjen e të hyrave vetanake.

Në arsyetimin e saj, drejtorja e Financave, Sebahate Ajeti-Sadiku, tha se planifikimi i inkasimit të hyrave vetanake për vitin 2025 ishte 7,974,306.00 euro, ndërsa deri më datën 30 shtator 2025 janë inkasuar 8,716,792.22 euro. Diferenca prej 742,486.22 eurosh është rezultat i tejkalimit të planifikimit të të hyrave.

“Ky vendim është i nevojshëm për shkak të alokimit të mjeteve financiare që do të përdoren për shlyerjen e obligimeve në kategoritë ekonomike dhe programet: mallra dhe shërbime, subvencione dhe komunale. Nga kjo shumë, 436,986.22 euro janë planifikuar për mallra dhe shërbime, 205,500.00 euro për subvencione, dhe 100,000.00 euro për shpenzime komunale – gjithsej 742,486.22 euro”, theksoi Ajeti-Sadiku.

Anëtarët e Kuvendit, me vota unanime, miratuan këtë propozim-vendim.