Brenda tri viteve të ardhshme, planifikohet rritja e buxhetit komunal rreth 1 milion euro
Kuvendi Komunal i Ferizajt, në mbledhjen e sotme, i kaloi mbi një orë e gjysmë me diskutime për rendin e ditës, meqë disa pika të propozuara, u kundërshtuan nga disa kuvendarë. Kështu, pika 4, e cila kishte të bënte me destinimin e një ngastre për ndërtimin e banesave për persona të kthyer, u kundërshtua nga kuvendarë të PDK-së si Rafiz Sejdiu, Skënder Ferizi, pastaj nga nënkryetari i Komunës, Xhavit Zariqi etj.
Sipas tyre, nuk duhej miratuar një destinim i tillë, pa i verifikuar nëse personat të cilëve do t’u destinohen banesat, nuk kanë bërë veprime të liga në Kosovë para dhe gjatë luftës së fundit. Ndërsa kuvendarët e LDK-së dhe të tjerë e kërkuan futjen e kësaj pike në rend dite, sepse me miratimin e saj, Komuna përfiton donacione dhe zgjidh çështjen e strehimit për disa banorë, pa prejudikuar se kush do të jenë ata.
Kryetari i Komunës, Muharrem Svarqa, sqaroi se askush nuk do të mund të marrë banesë, pa u miratuar nga Kuvendi i Komunës dhe se është në të mirë të Komunës vendimi i destinimit, pa asnjë prejudikim se kush do të merrte banesë, kurse kryesuesi Faruk Guri, tha se bëhet fjalë për një destinim i cili do t’u nënshtrohet ligjit, udhëzimit administrativ dhe rregullores për ndarjen e banesave, megjithatë, u propozua dhe u vendos me shumicë votash që kjo pikë të shtyhet.
Brenda kuvendit pati edhe kundërshtime për pikën 5, rreth vendimit për shfuqizimin e vendimit të vitit 2014 dhe shndërrimin e ngastrës kadastrale 145 -0 nga zona ekonomike, në pronë komunale për zhvillim ekonomik. Kuvendarët e PDK-së kërkuan shtyrjen e kësaj pike, pasi, sipas tyre, Komuna duhej të angazhohej që ajo zonë të pajisej mirë me infrastrukturë dhe të jetë në gjendje për të joshur edhe investitorë të huaj. Por, me shumicë votash, kjo pikë u fut në rend dite.
Pas arsyetimit të kësaj pike nga drejtori i zhvillimit ekonomik, Shemsedin Sojeva, se kjo pronë prej mbi 12 hektarësh, do të ndikonte në zhvillimin ekonomik dhe në punësimin e fuqisë punëtore, kuvendarë të PDK-së thanë se nuk është hartuar paraprakisht një arsyeshmëri rreth përfitimeve të Komunës dhe banorëve të saj dhe se kjo pikë nuk është e përgatitur mirë. Nga ana tjetër, kuvendarë të LDK-së, konstatuan se Komuna e Ferizajt nuk e ka potencialin financiar për të përgatitur zonat ekonomike ashtu siç po kërkojnë këtu disa kuvendarë. Ndaj në këtë situatë do të ishte mirë të ketë zona të zhvillimit ekonomik dhe duhet të pranohet versioni i ofruar nga propozuesi. Me shumicë votash, u miratua edhe kjo pikë.
U miratua edhe dhënia e pronës komunale për shfrytëzim afatgjatë në Babushin e Ri prej 27.411 metrash katrorë, me qëllim të krijimit të bazës së qëndrueshme për zhvillim ekonomik. Më pas komisioni do të shpall ankand publik për dhënien në shfrytëzim të kësaj prone për zhvillim ekonomik. Kuvendi miratoi gjithashtu propozimin për dhënien për shfrytëzim afatshkurtër të pronave-lokaleve në pronësi të Komunës, dy në rrugën “Cen Dugolli” dhe një në Dardani.
Diskutime të shumta u bënë sidomos për draftkornizën afatmesme buxhetore 2017-2019 (KAB). Drejtoresha e financave Lirije Syla tha se draftkorniza afatmesme buxhetore përmban kufijt fillestarë buxhetorë të të gjitha burimeve financiare dhe se pas miratimit në parim, hapet procesi i hartimit të buxhetit për vitin e ardhshëm, si dhe projeksionet e hershme për dy vitet tjera. Ajo vuri në dukje se vizioni i Komunës së Ferizajt është bazuar në strategji zhvillimore dhe në disa prioritete si: ekonomia e qëndrueshme, politika afatgjata zhvillimore, zhvillimi i ndërmarrjeve të vogla e të mesme, zhvillimi i agrobiznesit, zhvillimi i kapaciteteve përpunuese e grumbulluese të produkteve bujqësore e blegtorale, urbanizëm modern shërbime efikase e cilësore, rritje të cilësisë së arsimit, investime në infrastrukturën shëndetësore etj.
Kuvendarë nga opozita konstatuan se KAB është një parashikim i pamjaftueshëm për zhvillim të mirë, Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik gjatë vitit 2017 i ka fondet gjithnjë në rënie, gjë që bie në kundërshtim me perspektivën e zhvillimit ekonomik, nuk i është dhënë prioritet zhvillimit të bujqësisë, nuk janë marrë parasysh nevojat e PAK etj. Ndërsa kuvendarë nga pozita konstatuan se për tri vitet e ardhshme, sipas KAB, do të ketë buxhet mbi 80 milionë euro dhe mbi 23 milionë euro investime kapitale. Ky planifikim, sipas tyre, natyrisht se nuk i plotëson të gjitha nevojat, por paraqet një rritje të lehtë graduale të fondeve financiare, gjë që garanton qëndrueshmëri dhe rritje të zhvillimit të përgjithshëm. Pati edhe propozime për futjen e projekteve, kryesisht në vendbanimet nga vinin anëtarët e kuvendit.
Me 23 vota ‘për’, 5 ‘kundër’ dhe 3 ‘të përmbajtura’, kuvendi miratoi kornizën afatmesme buxhetore për tri vitet e ardhshme.