Ferizaj

Kuvendi i Ferizajt, diskuton raportet e kompanive publike dhe hap diskutimin publik për Hartat Zonale

By FerizajPress

December 28, 2022

Këtë të mërkurë është mbajtur mbledhja e fundit e Kuvendit të Komunës së Ferizajt, e kryesuar nga Kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Xhavit Zariqi.

Në këtë mbledhje ka marrë pjesë nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Lulzim Aliu, si dhe drejtorët e drejtorive komunale.

Në këtë mbledhje me shumicë votash u more vendim për hapjen e diskutimit publik, për Draft – Projektin e Hartës Zonale të Komunës së Ferizajt 2022-2030.

Por, në këtë mbledhje debat pati më së shumti për raportet e kompanive publike, siç ishte raporti i ndërmarrjes publike lokale “Stacioni i Autobusëve” SH.A, raporti vjetor i punës për kompaninë rajonale për menaxhimin e mbeturinave “Pastërtia”, si dhe ndërmarrjes publike lokale “Ambienti” SH.A në Ferizaj.

Ndërkaq drejtori i Pronës, Gjeodezisë dhe Kadastrit Sabri Murseli, ka bërë propozim –vendimin për publikimin e listës së pronave të Komunës të Ferizajt për dhënien në shfrytëzim për vitin 2023, si dhe propozim – Vendim për shpalljen interes i përgjithshëm të ngastrës kadastrale 3654-2 Z.K. Jezerc, pronë private me qëllim të këmbimit me pjesën e ngastrës kadastrale 3485-0 Z.K. Jezerc, pronë e Komunës së Ferizajt.