Lajme

Kushtetuesja e shpall të pavlefshëm vendimin e qeverisë për kufizim të lëvizjes

By FerizajPress

March 31, 2020

Gjykata Kushtetuese ka vendosur që vendimi i 23 marsit 2020 i Qeverisë së Kosovës për të kufizuar lëvizjen e lirë të qytetarëve nuk është në përputhje me Kushtetutën, dhe të njëjtin ta shpallë të pavlefshëm.

Gjykata ka konstatuar se “kufizimi i të drejtave dhe lirive themelore mund të bëhet “vetëm me ligj” të Kuvendit të Republikës së Kosovës”.

“Gjykata vendosi njëzëri se Vendimi [nr. 01/15] i 23 marsit 2020 i Qeverisë nuk është në përputhshmëri me nenin 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës në lidhje me nenet 35 [Liria e Lëvizjes], 36 [E drejta për privatësi], 43 [Liria e Tubimit] të Kushtetutës dhe me nenin 2 (Liria e lëvizjes) të Protokollit nr. 4, nenin 8 (E drejta për jetë private dhe familjare) dhe nenin 11 (Liria e tubimit dhe asociimit) të KEDNJ-s”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Vendimi i qeverisë ishte i bazuar në dy ligje, Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse dhe Ligjin për shëndetësi.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, këto dy ligje nuk e autorizojnë Qeverinë që të kufizojë lirinë e lëvizjes dhe të drejtat e garantuara me Kushtetutë mirëpo e autorizojnë Ministrinë e Shëndetësisë që të marrë masa në ato ligje.

“Gjykata theksoi faktin që Vendimi i kontestuar i Qeverisë, i referohet zbatimit të dy ligjeve të lartcekura, të cilat e autorizojnë Ministrinë e Shëndetësisë që të ndërmarrë masa të caktuara në ato ligje me qëllim të parandalimit dhe luftimit të sëmundjeve ngjitëse. Megjithatë, Gjykata konstatoi se ligjet e lartcekura, nuk e autorizojnë Qeverinë që të kufizojë të drejtat dhe liritë kushtetuese të përcaktuara me nenet 35, 36 dhe 43 të Kushtetutës në nivel të të gjithë Republikës së Kosovës dhe për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës pa përjashtim”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Vendimin e qeverisë të datës 23 mars për kufizim të masave të lëvizjes e kishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

“Ju informoj se duke marrë parasysh rrethanat e reja të krijuara pas vendimit të Qeverisë së Kosovës, vendim antikushtetues, si president i vendit duke respektuar në tërësi kompetencat kushtetuese dhe ligjore kam vendosur t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese në kërkesë për interpretim të çështje së përputhshmërisë së vendimit të Qeverisë së Kosovës lidhur me kufizimin e të drejtave dhe lirive themelore që mbrohen me Kushtetutë”, pati deklaruar Thaçi.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës po ashtu, ka vendosur ta vazhdojë pezullimin e Ligjit të pagave deri më 30 qershor 2020.

Kjo nënkupton se zyrtarët publikë nuk do t’i marrin rrogat e rritura sipas Ligjit të pagave i cili ishte miratuar gjatë vitit 2019.

Arsyeja e kësaj shtyerje sipas Gjykatës ka të bëjë me faktin që Gjykata, pas caktimit të masës së përkohshme, ka pranuar një vëllim të konsiderueshëm të dokumenteve dhe të komenteve të dorëzuara nga palë të ndryshme të interesuara për pranueshmërinë dhe meritat e saj, të cilat duhet të trajtohen në raport me pretendimet e ngritura dhe me dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore.

Arsyeja e dytë për vazhdimin e masës së përkohshme, thuhet në njoftim është volumi jashtëzakonisht i madh i materialeve të pranuara nga Komisioni i Venecias dhe gjykatat kushtetuese/supreme pjesë përbërëse të Forumit të Komisionit të Venecias.

Në njoftimin e gjykatës thuhet se “të gjitha këto materiale, përfshirë praktikën legjislative dhe gjyqësore të dorëzuar nga gjykatat anëtare të Forumit të Komisionit të Venecias, duhet të analizohen ashtu që Gjykata të mund t‘i aplikojë ato në rrethanat e rastit konkret, për aq sa do të jenë të aplikueshme”, thuhet pos tjerash në njoftim.