Edhe në këto zgjedhjet Fehmi Mujota do të jetë kandidat për deputet nga radhët e PDK-së dhe mbanë numrin 40.
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, kam nderin të ju njoftoj se unë, Fehmi Mujota jam në listën zgjedhore të Partisë Demokratike të Kosovës, me Nr 40.
Jam lindur në Mollopolc KK Shtime. I takoj familjes së ngushtë dhe të gjerë me traditë ndër breza për bujari, mikpritje, bukëdhënie, nderim dhe rezistencë.
Jam krenar për historinë e familjes. Jam nga fshati me histori të ndritshme të luftës së lavdishme të UÇK-së, aty ku Komanda e Zonës Operative të Nerodimes dhe e Brigadës 161 “Ahmet Kaçiku” e patën vendqëndrimin që nga formimi e deri në lirinë e plotë të Kosovës.
Katër klasët e para të fillores i kam mbaruar në fshatin e lindjes për të mbaruar tetëvjeçaren në Petrovë. Dy vite të edukimit të mesëm kam mbaruar në QAMO (Qendra e Arsimit te Mesëm të Orientuar) në Shtime dhe kam përfunduar Shkollën e Mesme të Mjekësisë në Prizren.
Studimet themelore i kam filluar në vitin 1985/86 në Fakultetin Filozofik Dega Filozofi /Sociologji dhe kam përfunduar në vitin 1989/90 si student i dalluar duke marrë titullin Prof.i Filozofisë/Sociologjisë.Studimet pasdiplomike i kam vazhduar në UP në Fakultetin Juridik në drejtimin Administrativ Kushtetues, duke marrë titullin Magjistër i Shkencave Juridike.
Gjatë kohës së studimeve e deri në përfundimin e tyre kam pasur nderin të njihem e të veproj përkrah shumë veprimtarëve,atdhetarëve, intelektualëve, liribërësve, shumë prej tyre, sot janë dëshmor e heronj të kombit.Isha njëri nga studentët udhëheqës të organizimit të demonstratave studentore dhe formave tjera të kundërshtimit të regjimit serbojugosllav. Në kohën e lindjes së pluralizmit politik të asaj kohe nën shtypjen dhe represionin e egër të Serbisë dhe okupimin klasik të Kosovës, kam pas rol aktiv në formimin e Organizatës së Pavarur të Studentëve dhe ruajtjen e autonomisë nga ndikimet politike partiake të kohës.Isha pjesëmarrës aktiv me grupet studentore në aksionin gjithëkombëtarë për pajtimin e gjaqeve.
Nga viti 1993 deri në fillim te vitit 1998 kam punuar profesor në gjimnazin “Kuvendi i Arbërit” në Ferizaj në objektet shtëpi-shkolla dhe paralelisht edhe në Gjimnazin “Naim Frashëri” në Shtime në mungesë të kuadrit arsimor në atë kohë.
Gjatë kësaj periudhe, unë personalisht dhe familja ime e ngushtë dhe e gjerë, sikurse i gjithë populli shqiptar u ndodhëm përballë represionit e ndjekjes serbe,por asnjëherë nuk u përkulëm.
Në kohën e lavdishme të luftës se Ushtrisë Çlirimtare te Kosovës, ne bëmë krejt çka mundëm e krejt çka ditëm.
Pata nderin të jem përkrah shumë emrave të mëdhenj që e përcollën kushtrimin e Komandantit Legjendar Adem Jashari.Pata nderin të jem ushtar i lirisë dhe epror i lart i Komandës së Zonës Operative të Nerodimes- përgjegjës i sektorit për moral e politikë.
Secila ditë, javë dhe muaj i viteve të luftës së UÇK-së, është e mbushur me histori sa të lavdishme aq të dhimbshme dhe krenare në gjithë Kosovën…Reçaku dhe Rambujea janë të lidhura fort me lirinë e Kosovës.
Nga përgjegjësit dhe detyrat që kam ushtruar, në komandën e zonës operative të Nerodimes, kam kërkuar dhe kam pasur ndikim direkt në ekipin ndërlidhës të Misionit vëzhgues Ndërkombëtar, për të sjellur shefin e Misionit të OSBE-së –Ambasadorin William Walker në vendin e krimit, dhe zbardhjen e të vërtetës për krimin në Reçak.
Në vitin 1999-2000 u zgjodha Drejtor i Departamentin të Monitorimit në Ministrinë e Pushtetit Lokal në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës.
Në zgjedhjet e para të lira në Kosovën e pasluftës në tetor të vitit 2000 zgjedhem kryetar i pare i Kuvendit Komunal të Shtimes me mandate dyvjeçar për vitet 2000-2002.
Rizgjedhem kryetar i Kuvendit, në mandatin e dytë 2002-2006.
Në këtë periudhë u vlerësuam lart për demokratizim në qeverisje lokale, për menaxhim dhe pjekuri institucionale.
Shtimja ishte komuna e parë në Kosovë që u la e pavarur në qeverisje nga Administrata e UNMIK-ut.
Këtë mandat e mbylla në vitin 2004 pasi fitova mandatin e deputetit për Kuvendin e Kosovës në Legjislaturën e dytë 2004-2007.
Gjatë kësaj kohe kam ushtruar detyrën e Zv. Kryetarit të Komisionit Parlamentar për Administratë Publike Media dhe Pushtet Lokal.Në periudhën 2006-2007, Drejtuesi i Departamentit për Pushtet Lokal në Kabinetin e Qeverisjes së Mirë të PDK-së. Isha pjesëmarrës-përfaqësuesi PDK-së në negociatat për statusin e Kosovës në Vjenë, në grupin profesional politik.
Rizgjedhem deputet i Kuvendit të Kosovës në Legjislaturën 2007-2011.Pata nderin të isha deputet nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë të Republikës së Kosovës me 17.02.2008.
Në gusht të vitit 2008 emërohem ministër i parë i FSK-së në Qeverinë e Republikës së Kosovës, dhe kam punuar vazhdimisht për ngritjen e Ministrisë dhe FSK-së me standardet e NATO-s.Ndër të arriturat kryesore veçoj: miratimin e uniformës së FSK–së, Doktrinën e Trajnimeve, standardin e armatimit, marrëveshjet ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes (tetë marrëveshje të nënshkruara) me vendet më të rëndësishme të NATO-s.
Si rezultat e këtyre marrëveshjeve ushtarët dhe oficerët e FSK-ës vazhdojnë edhe aktualisht trajnimin me nivelin më të lartë profesional.
Gjatë kësaj kohe, patëm donacione shumë milionëshe, nga vendet anëtare të NATO-s në pajisje dhe teknikë ushtarake.
Këto suksese janë rrjedhojë e raporteve të shkëlqyeshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së FSK-së me instancat më të larta të NATO-s në Bruksel, përfshirë Sekretarin e Përgjithshëm dhe Komandantin Suprem të NATO-s për Evropë.
Falë këtij bashkëpunimi i arritëm kapacitetet e para operacionale, një vit para afatit të paraparë dhe bëmë zbarkimin e parë të FSK-së jashtë territorit të Kosovës (rasti i vërshimeve në Shkodër me rrethinë).Ishin këto disa nga sukseset e dalluara për mandatin (2008-2011).
Edhe në mandatin e dytë qeverisës të PDK-së, (2011-2014), kam ushtruar detyrën e Ministrit të Ministrisë së Infrastrukturë.
Gjatë këtij mandati realizuam projektet më të mëdha infrastrukturore nacionale .
U ndërtuan afër 150 km autostradë moderne me të cilat Kosova u lidh me korridoret rrugore ndërkombëtare. Gjithashtu, u ndërtuan afër 2000 km rrugë të reja magjistrale, rajonale e lokale, rrugë të cilat lidhën të gjitha vendbanimet e Kosovës.Në mandatet qeverisëse 2015-2017 dhe 2017-2019, kam ushtruar detyrën e Zv. ministrit në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit.
Nga viti 2002 kryetar i Degës së PDK-së në Shtime për disa mandate, Dege e cila nga viti 2000, që nga zgjedhjet e para pas luftës në Kosovë e deri me sot, është fituese e të gjitha zgjedhjeve lokale dhe nacionale. Në zgjedhjet PDK-së,Dega në Shtime,të këtij viti (2019) kam vendosur të mos kandidoj për kryetar te degës, duke i lënë mundësinë brezit të ri.
Anëtar i kryesisë qendrore të PDK-së nga viti 2004.Aktualisht anëtar i Këshillit Drejtues të PDK-së dhe kandidat për deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës për legjislaturën 2019-2023.
I martuar me Valbona Ademi-Mujota dhe jemi prindër të tre fëmijëve.
Ndërtojmë të Ardhmen. Për ty dhe shtetin
F.M