Në një intervistë për lajmi.net, Kusari- Lila ka numëruar të arriturat e vitit në komunën e saj, duke theksuar se viti 2016 është viti më i suksesshëm për Gjakovën që nga paslufta në mbledhjen e të hyrave vetanake, ku janë inkasuar afër 2 milionë euro.
Gjithashtu, kryetarja e vetëm femër në Kosovë, tashmë është pjesë e “Partisë së Re” së bashku më Ilir Dedën, ajo ka thënë se puna zyrtare e kësaj partie do të filloi në fillim të këtij viti. Ajo bëri të ditur se do të ketë shumë emra të ri që do të jenë pjesë e partisë më të re në Kosovë, për më shumë:
Intervista e plotë me Mimoza Kusari- Lilën.
Lajmi.net: Çka e ka karakterizuar vitin 2016, në aspektin politikë dhe social komunën e Gjakovës?
Mimoza Kusari- Lila: Në aspektin politik vitin 2016 e ka karakterizuar liria e të bërit politikë. Ne si qeverisje lokale ashtu siç kemi qenë të hapur dhe transparent për angazhimet tona, ashtu kemi qenë të hapur edhe për kritikat dhe vërejtjet e opozitës. Konsideroj, se ne si qeverisje lokale kemi mundësuar që në qeverisjen e Gjakovës të ketë zhvillime politike korrekte dhe nuk e kemi penguar një gjë të tillë.Gjatë vitit 2016 në aspektin social komuna e Gjakovës për herë të parë ka bërë publike listën finale me evidentimet e pronës komunale ku edhe është bërë publike thirrja për qytetarë të rasteve sociale që mund të aplikojnë për shfrytëzimin e banesave të komunës.
Lajmi.net: Cilat mendoni se janë të arriturat e viti në Gjakovë?
Mimoza Kusari- Lila: Viti 2016 për komunën e Gjakovës ka qenë vit i sfidave, angazhimeve, e gjithsesi edhe i sukseseve. Gjatë këtij viti komuna e Gjakovës është karakterizuar me disa nga të arriturat e përgjithshme duke u vlerësuar si performuesi më i mirë nga DEMOS-i ku ka përfituar mjete shtesë në vlerë prej 600 mijë euro. Gjatë këtij viti po ashtujanëzotuar mjetet për ndërtimin e ngrohtores së re të qytetit, ku Komisioni Evropian e ka mbështetur këtë projekt me 12 milion euro, pastaj janë mbështetur bizneset prej të cilave kanë përfituar 72 biznese, ku së bashku me organizatën gjermane “Help” këtë vit janë ndarë mjete në shumë prej 221 mijë euro. Me rëndësi shumë të madhe është edhe impianti i ujërave të zeza në vlerë prej 16. 8 milion euro, projekt ky që është në procedurë dhe që do të jetësohet në bashkëpunim të komunës së Gjakovës dhe të Bankës Gjermane për Zhvillim.
Gjatë këtij viti kemi pasur edhe investime kapitale për mirëqenie të qytetarëve ku në këtë aspekt kemi projektin në shumë prej 2.4 milion euro, pasi komuna e Gjakovës ka nënshkruar kontratën me Bankën Gjermane për Zhvillim me qëllim të rritjes së efiçencës së energjisë në objektet publike, ndërsa në fushën e ndërtimit dhe rregullimit të infrastrukturës në komunë, kemi edhe bashkëpunimin me CDI-në ku është arritur të përfundohet rrjeti i ujësjellësit edhe për gjashtëmbëdhjetë fshatra, ndërkohë, në proces janë edhe njëzet e katër fshatra të Rekës së Keqe. Komuna e Gjakovës ka arritur suksese edhe në buxhetit dhe financave, ku vlen të theksohet se viti 2016është viti më i suksesshëm që nga paslufta në mbledhjen e të hyrave vetanake, ku janë inkasuar 1,925,162.73 euro, ose 29.38 përqind më shumë nga viti paraprak. Suksesit në qeverisje i ka kontribuar edhe menaxhimi i mirë i mjeteve ku janë ulur shpenzimet operative në administratë publike, në karburante dhe shpenzime të telefonit. Si ndër synimet e qeverisjes komunale është edhe investimi dhe mbështetja në resurse prodhuese, ku për këtë qëllim janë subvencionuar 511 fermerë në shumë prej 163,520 euro, ndërkohë që nga donatorët është arritur që fermerët të subvencionohen edhe në vlerë prej 61 mijë euro. Ndërkaq, për investime tjera kapitale në lëmin e bujqësisë janë investuar mbi 139 mijë euro.
Lajmi.net: Cila ka qenë sfida më e madhe që ju personalisht jeni përballur me komunën që qeverisni?
Mimoza Kusari- Lila: Ndër sfidat që komuna e Gjakovës ka kaluar gjatë këtij viti është gjithsesi injorimi nga qeveria e Kosovës, edhe pse komuna ka qenë shumë e pranishme me kërkesa dhe projekte, megjithatë është anashkaluar tërësisht nga qeveria e Kosovës. Duket se niveli qendror në vazhdimësi ka përkrahur vetëm ato komuna të cilat janë pjesë e partive të pushtetit në qendër duke lënë anash në tërësi komunën e Gjakovës. Kjo ka bërë që shumë procese të zgjedhjeve qendrore kanë prolonguar zhvillimet në komunën e Gjakovës duke shtyrë kështu shumë projekte jetike për komunën. Janë disa projekte madhore siçështë projekti i hyrje-daljeve të qytetit, ku komuna e Gjakovës vetëm ka marrë dritën e gjelbër për financim nga BERZH ndërsa tash e dy vite ende nuk e kemi marrë garancinë nga Ministria e Financave për këtë kredi. Poashtu është aeroporti i Gjakovës me asete në vlerë prej 9 milion euro, donacion nga Kfori Italian, të cilat kanë mbetur tëpashfrytëzuara dhe që vazhdimisht demolohen për faktin që qeveria e Kosovës ende nuk ka marrë vendim për formën e shfrytëzimit të këtij aeroporti. Komuna e Gjakovës gjithashtu ende nuk ka arritur të shfrytëzoj hapësirën për parkun industrial ku tashmë prej nesh janë dorëzuar disa kërkesa në AKP dhe kemi bërë disa takime me bordin e AKP-së në mënyrë që komunës së Gjakovës ti jepen nëshfrytëzim këto hapësira, mirëpo një marrëveshje e tillë ende nuk ka ndodhur!
Kjo sigurisht që ndikon shumë në zhvillimin ekonomik të komunës së Gjakovës përderisa projektet kyçe për të cilat vazhdimisht jemi munduar ti shtyjmë proceset, kemi hasur në pengesa nga niveli qëndror.
Lajmi.net: Në cilën çështje ka ngecur Komuna e Gjakovës këtë vit?
Mimoza Kusari- Lila: Si prioritet kryesor për vitin 2017 mbetet projekti i hyrje-daljeve tëkomunës së Gjakovës gjë e cila do të ketë ndikim shumë të madh në lirimin e komunikacionit për komunën. Objektivë tjetër me rëndësi për komunën e Gjakovës gjatë vitit 2017 do të jetë gjithashtu shfrytëzimi i hapësirave së ish ndërmarrjeve shoqërore në mënyrë që kjo t’u jepet investitorëve të ndryshëm ku do të kenë mundësi të shfrytëzojnë edhe zonën e lirë ekonomike të Gjakovës. Gjithashtu, komuna e Gjakovës në vitin 2017 do të vazhdojë të mbështesë programet për zhvillimin e ndërmarrësisë dhe bujqësisë ku do të vazhdohet me skemën e granteve për biznese si dhe subvencionet në bujqësi.
Lajmi.net: Kush do të ishte pas jush udhëheqësi më i mirë për Gjakovën?
Mimoza Kusari- Lila: Secili njeri i cili ka pasion qeverisjen por gjithashtu mendon dhe ka ide për të mirën e Gjakovës do të ishte udhëheqësi/udhëheqësja ideale për Gjakovën. Ata njerëz që kanë dedikimin por edhe vullnetin dhe motivin që të japin më shumë nga vetvetja se sa që të marrin nga qeverisja, do të jenë njerëzit më ideal për qeverisjen e Gjakovës.
Lajmi.net: Kur do të nis punën zyrtarisht partia juaj e re?
Mimoza Kusari- Lila: Kemi qenë të përgatitur që të fillojmë punën në fund të këtij viti, megjithatë për shkak të festave tëfund vitit dhe natyrisht fokusit në përmbyllje të vitit që po e lëmë pas kemi shtyrë që kjo të organizohet në fillim të vitit 2017.
Lajmi.net: A do të jetë emra të tjerë që t’iu bashkohen në parti, nëse po kush janë ata
Mimoza Kusari- Lila: Sigurisht që do të ketë edhe emra tjerë në parti pasi që partia krijohet nga njerëzit të cilët besojnë në idenë dhe qëllimin mendoj që sipas prezantimit publik që do të bëhet në parti do të njiheni edhe me emrat që do të bashkohen, pastaj flasim për një proces i cili është në vazhdimësi aktiv dhe nuk është proces statik që ndodhë njëherë dhe pastaj më nuk lëviz, por flasim për një proces dinamik i cili gjatë gjithë periudhës kohore do të ketë bashkime të njerëzve të cilët vijnë nga sferat e ndryshme të jetës, profesionistë, njerëz të politikës, por gjithashtu edhe njerëz që asnjëherë më parë nuk kanë qenë në politikë por kanë vendosur që të jenë pjesë e alternativës.
Lajmi.net: Ku e pret ndërrimin e moteve Mimoza Kusari Lila?
Mimoza Kusari- Lila: Për tre vitet e fundit kjo është bërë praktikë që unë ndërrimin e mot moteve ta pres në qytetin e Gjakovës me bashkëpunëtorë, dhe pas ndërrimit të mot moteve të bëj vizita institucioneve, atyre që kujdesen që çdo gjë të shkoj mbarë në përmbyllje të vitit siç është policia e Kosovës, gjegjësisht stacioni policor në Drejtorinë Rajonale të Gjakovës, pastaj ngrohtorja e qytetit që sigurohen që deri në orët e vona të ketë shërbim dhe furnizim të mirë me ngrohje që njerëzit të festojnë sa më mirë, qendrën kryesore të mjekësisë familjare me shërbimin emergjent dhe pastaj ditën e 1 janarit edhe urimin për nënën e cila lind fëmijën e parë për vitin 2017 në Komunën e Gjakovës. /Lajmi.net/
.