Lajme

Kurti paraqet pesë pikat e dialogut me Serbinë që duhet të diskutohen në Kuvend

By FerizajPress

July 23, 2018

Përmes një postimi në Facebook, Kurti është shprehur se deputetët nuk kanë pse të flasin për dialog të ri kur ende nuk është diskutuar dialogu paraprak.

Tutje, kurti ka shkruar se Kuvendi nuk duhet të diskutojë për ecurinë e dialogut të ri, pa e argumentuar Qeveria atë se pse Kosovës i nevojitet ky dialog.

Ky është postimi i plotë i Kurtit në Facebook:

 

“5 pika për dialogun në Kuvend

  1. Kuvendi i Kosovës nuk ka pse flet për dialog të ri kur ne deputetët nuk e diskutuam dialogun ‘e vjetër’. Nuk bën të vrapohet në dialog të ri me Serbinë pa shqyrtuar premisat, procesin, marrëveshjet, zbatimet si dhe rezultatet e dialogut 2011-2017. Aq më tepër që Qeveria e ka sjellur një material me 38 faqe mbi arritjet dhe sfidat në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit. Ky material duhet diskutuar e shqyrtuar paraprakisht.
  2. Në Kuvend të Kosovës nuk duhet të diskutohet për ecurinë e dialogut të ri dhe siguresat e tij, pa e marrë së pari qeveria barrën e provës së argumentimit pse na nevojitet ky dialog mu tash dhe çka është domethënia e tij. Këtu duhet përfshirë edhe sqarimin e kuptimit të saktë të shprehjeve si “normalizim i plotë”, “normalizim”, “marrëveshje ligjërisht e obligueshme”, “kompromis i dhimbshëm” etj.
  3. Rendi i duhur i gjërave është që ne duhet t’i shtrojmë zyrtarisht kërkesa Serbisë, e pastaj ajo le të kërkojë dialog me neve. Serbia na ka aq shumë borxh, ne kemi se çka i kërkojmë asaj, apo jo? Prandaj, Kuvendi i Kosovës duhet që paraprakisht të diskutojë dhe miratojë kërkesat e Republikës së Kosovës ndaj Republikës së Serbisë.
  4. Marrëveshja kryesore e Brukselit, ajo e 25 gushtit 2015, doli të jetë anti-kushtetuese. Secili prej shtatë kapitujve të ‘Zajednicës’ e ka shkelur Kushtetutën në gjithsej 23 nene! A nuk do të duhej të diskutojmë për përgjegjësinë politike, institucionale, morale etj. të akterëve? Ata zyrtarë e politikanë kosovarë që po insistojnë për këtë dialog të ri janë pak a shumë ata që e mbështetën ‘Zajednicën’.
  5. Pa mandatin e Kuvendit të Republikës, presidenti aktual e nisi dialogun e ri me Serbinë. Shpërfilli karakterin e republikës sonë parlamentare dhe jo vetëm. Thaçi takoi Vuçiqin e Serbisë pak ditë pasi takoi Medvedevin e Rusisë me ç’rast deklaroi “Kryeministrin Medvedev shkurtimisht e informova për zhvillimet në Kosovë dhe në rajon.” Presidenti nuk duhet të jetë informator. Kuvendi i Kosovës që mbledh përfaqësuesit e popullit duhet ta trajtojë aventurën personale të presidentit dhe të marrë qëndrim për veprimet e tij pa mandat dhe sjelljen e tij pa integritet”/Lajmi.net/