Lajme

Kurti letër Mustafës: Të garojmë me listë të përbashkët, kush votohet më shumë bëhet kryeministër

By FerizajPress

August 30, 2019

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një letër drejtuar liderit të LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se nuk mund t’i pranojnë kushtëzimet për postin e kryeministrit.

Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se nuk mund t’i nënshtrohen vendimeve të Këshillit të Përgjithshëm të një partie tjetër.

Ai ka propozuar që LDK-VV të garojnë me një listë të përbashkët, pa kandidat të paradhënë e të njëanshëm për kryeministër, por sipas tij, le të bëhet ajo ose ai që fiton më së shumti vota në zgjedhjet e 6 tetorit 2019.

Ai thotë se vendimin e kryesisë së LDK-së për kandidatin e partisë për kryeministër e mësoi nga mediat, duke shtuar se takimet mes dy partive kishin qenë partneritet verorë, por që sipas tij, kjo u ndryshua me fakte të njëanshme partiake që Vetëvendosjes iu hodhën fytyrës.

“Ne nuk mund t’ju nënshtrohemi vendimeve të Këshillit të Përgjithshëm të një partie tjetër. Ne jemi Lëvizja VETËVENDOSJE!. Kushtëzimet për kandidatin për kryeministër nuk mund t’i pranojmë. Mirëpo, sot, duke pasur parasysh shansin unik për të hapur një kapitull të ri për shtetin tonë, ne propozojmë një alternativë të re për koalicion tonë. Le të garojmë me një listë të përbashkët si LDK dhe LVV, pa kandidat të paradhënë e të njëanshëm për kryeministër, por le të bëhet ajo ose ai që fiton më së shumti vota në zgjedhjet e 6 tetorit 2019. Pra, znj.Vjosa Osmani, ose, kandidati ynë i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, varësisht cili merr më shumë vota”, ka shkruar ai.

Kurti thotë se me këtë rast ata shprehim gatishmëri për një koncesion të madh, ku sipas tij, në listën zgjedhore nr.1 të jetë Vjosa Osmani, kurse nr.2 kandidati i VV-së të cilin e vendos Këshilli i Përgjithshëm i partisë, për të cilin thotë se ende nuk e kanë mbajtur.

“Numri 1 në listën garuese është bartës liste kurse numri 2 është përfaqësues i koalicionit”, shton Kurti.

Ai e fton Mustafën që sot ta bëjnë këtë marrëveshje politike parimore e ta dorëzojnë bashkë në KQZ.

“Në ditët në vijim e formojmë listën e plotë të kandidatëve dhe platformën tonë qeverisëse. Lista të jetë e baraspeshuar midis dy subjekteve ndërsa sipas numrit të deputetëve të fituar marrim përgjegjësitë në ekzekutivin e ardhshëm. Dallimet që kemi janë të vogla përballë sfidave që na presin”, ka shkruar ai.

Kurti thotë se me LDK pajtohen se Kosova është shtet i dobët sepse është shtet i kapur.

“Sot, çkapja e shtetit nga mujsharët shpërdorues, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë, është nevojë jetike dhe urgjente për Kosovën si dhe pritja themelore e qytetarëve të Republikës. Po ashtu, sjellja e investimeve në ekonomi, zhvillimi që rrit punësimin, nuk janë të mundura pa çlirimin e prokurorisë dhe gjyqësorit nga Klani Pronto”, ka shkruar ai.

Ai thotë se sot, koalicioni parazgjedhor i dy subjekteve është ajo që dëshirojnë dhe shpresojnë qytetarët.

“Në zgjedhjet e fundit të 11 qershorit 2017, LAA fitoi 29 deputetë kurse LVV 32 deputetë. Ne atëherë i kishim së bashku 61 deputetë. Dalja e AKR-së nga LAA atëbotë e formoi qeverinë e PAN-it. Po u bëmë ne bashkë, efekti i sinergjisë është i garantuar dhe do të mund t’i arrinim 70 deputetë nga zgjedhjet reja dhe qeverisje stabile. Në ofertën time të tetorit 2018, nuk jeni përgjigjur, mirëpo, ndërkohë kemi pasur takime e komunikime të rregullta e konstruktive. Bashkëpunimi opozitar LVV-LDK ka qenë faktor i rëndësishëm, mbase vendimtar, i shpëtimit të Kosovës nga pazaret territoriale me Serbinë. Hapat e bashkërenduar opozitar duhet t’i avancojmë në projekt të përbashkët për qeverisje të mirë”, ka shkruar tutje ai.